Reznikov: Forcat ruse duhet të përballen me gjyqe të stilit të Nurembergut

Forcat ruse përgjegjëse për vrasjen e civilëve në qytetet që ata sulmuan afër Kievit duhet të përballen me gjyqe të stilit të Nurembergut, ka thënë ministri ukrainas i mbrojtjes, Oleksii Reznikov.
Gjyqet e Nurembergut u mbajtën nga aleatët kundër kriminelëve nazistë të luftës pas Luftës së Dytë Botërore.
Reznikov shtoi se kishte raste të reja për Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Bucha dhe Irpin, ku trupat janë gjetur në rrugë, disa me duar të lidhura pas shpine, pasi forcat ruse u tërhoqën.
“Unë mendoj se do të ketë shumë prova. Ne do të shohim një proces të ri të Nurembergut ndoshta në Bucha, ndoshta në Irpin”, ka thënë ai gjatë një vizite në bazën ajrore Hostomel, në veriperëndim të kryeqytetit dhe afër Bucha.
Baza ajrore ishte një objektiv kyç i ditës së parë për pushtimin e trupave ruse, por ushtarët ukrainas arritën t’i detyronin ata të tërhiqen edhe nga atje.
“Ose në Kharkiv ose në Mariupol” shtoi më tej ai duke iu referuar qytetit të dytë të Ukrainës në lindje të vendit dhe qytetit të rrethuar të Mariupolit në juglindje.
Të dy kanë qenë nën bombardimet shkatërruese ruse për javë të tëra.
“Do të jetë proces i Nurembergut kundër kriminelëve ushtarakë që e bënë atë vrasjet në vendin tone”, ka thënë Reznikov.
Zbulimet e tmerrshme të trupave në zonat ku forcat ruse janë tërhequr kohët e fundit përballë rezistencës së ashpër ukrainase kanë shkaktuar zemërim nga qeveria ukrainase dhe aleatët e saj ndërkombëtarë, përfshirë Britaninë e Madhe.
Ministri i Jashtëm, Dmytro Kuleba, u ka bërë thirrje misioneve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe organizatave ndërkombëtare që të mbërrijnë në Bucha dhe qytete dhe qyteza të tjera të rajonit të Kievit sa më shpejt të jetë e mundur për të mbledhur prova të krimeve të luftës ruse dhe krimeve kundër njerëzimit.
Muajin e kaluar, pati thirrje në Mbretërinë e Bashkuar për krijimin e një tribunali të ri ndërkombëtar të modeluar sipas gjykimeve të Nurembergut për të hetuar presidentin rus Vladimir Putin.
Ish-kryeministrat Gordon Brown dhe John Major janë mes rreth 140 figurave të larta, duke përfshirë politikanë, akademikë dhe juristë, të cilët e mbështesin idenë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale tashmë po heton Rusinë për krime të dyshuara lufte në Ukrainë, por kritikët thonë se kompetencat e gjykatës janë të kufizuara./21Media

Back to top button