Reznikov kërkon që Putin të njihet si “kriminel lufte”
Më herët u raportua se presidenti amerikan Joe Biden e etiketoi homologun e tij rus Vladimir Putin si “kriminel lufte”.
Tani, ministri ukrainas i mbrojtjes Oleksiy Reznikov u ka kërkuar liderëve evropianë të bëjnë të njëjtën gjë.
“Unë po u bëj thirrje të gjithë anëtarëve të Parlamentit Evropian që të pranojnë se Putin është një kriminel lufte, siç është bërë nga Shtetet e Bashkuara. Nuk është thjesht një luftë. Është terror shtetëror”, i tha ai një komisioni në Bruksel përmes videolidhjes.
Komentet e tij vijnë pasi Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss tha gjithashtu se kishte prova të forta se Putin është një “kriminel lufte”.
Ekspertët kanë paralajmëruar megjithatë se një gjuhë e tillë ka të ngjarë të përshkallëzojë edhe më tej tensionet diplomatike.
Reznikov përsëriti gjithashtu thirrjet e presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky për zbatimin e një zone ndalim-fluturimi për të mbrojtur vendin e tij nga sulmet ajrore dhe granatimet.
“Sa më shumë të hezitoni, aq më shumë do të perceptohet nga fëmijët dhe nipërit tanë si bashkëfajësi juaj në këtë krim. Pra, ju lutemi, merrni këtë vendim sepse elektorati juaj do të reflektojë mbi veprimet tuaja”, tha ai./21Media