Richardson: Gratë dhe burrat nuk i kanë mundësitë e barabarta

“Kapërcimi i barrierave për fuqizimin e grave në sferën publike”

Fuqizimi ekonomik, parandalimi dhe ulja e rasteve të dhunës, eliminimi i diskriminimit gjinor, vazhdojnë të jenë disa nga sfidat më të mëdha për gratë në Kosovë. Shqetësim i madh mbetet roli i tyre në vendimmarrje në institucionet publike, e mos trajtimi i barabartë edhe nga vet shoqëria.

Kështu u tha sot në debatin publik me temën “Kapërcimi i barrierave për fuqizimin e grave në sferën publike”, organizuar nga Forumi për Udhëheqje dhe Diplomaci, me ç’rast u kërkua të drejtat e grave të vihen në prioritet e secilës qeveri dhe institucion shtetëror.

Drejtoresha e Forumit për Udhëheqje dhe Diplomaci, Njomza Emini tha se përfaqësimi i OKB-së nga një grua si Ulrika Richardson, do të thotë shumë për gratë dhe promovimin e të drejtave të tjera. Sipas saj, nëse krijohen mundësi të barabarta atëherë është e mundur që të realizohet pjesëmarrja më e madhe e grave në qeveri.

Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, Ulrika Richardson tha se para 25 vjetësh gjendja e grave në shoqëri nuk ishte kështu, sipas saj tash mbi 30% të grave janë të përfshira në vendimmarrje. Megjithatë, sipas saj nuk është bërë mjaftueshëm dhe ende nuk ka barazi mes dy gjinive.

Krahas kësaj, Richardson tha se mbizotëron kultura mashkullore në vend, sipas saj gratë janë ato që shpenzojnë më shumë kohë në shtëpi dhe ballafaqohen me problemet në familje. Mes tjerash, ajo tha se meshkujt duhet të kuptojnë që një pjesë e pushtetit i takon grave.

Rozafa Ukimeraj nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, e cila është sekretarja e vetme grua në këtë institucion tha se sfida më e madhe në vend vazhdon të jetë fuqizimi ekonomik i grave në vend. Në këtë debat publik u tha se të drejtat e grave duhet të vihen në prioritetet e secilës qeveri dhe institucion shtetëror. Po ashtu u kërkua angazhim mbarëshoqëror për të eliminuar diskriminimin në baza gjinore.

Back to top button