Aksidenti me të vdekur në Gjilan, 7.4 vjet burg për të akuzuarit

Nga aksidenti kanë vdekur dy persona, ndërsa janë lënduar 23 të tjerë

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit M. A. duke i shqiptuar dënim prej 4 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa të akuzuarin e dytë V. T. e ka dënuar me 2 vjet e 8 muaj burgim, për shkak të një aksidenti vitin e kaluar kanë vdekur dy persona dhe 23 të tjerë janë lënduar.

Më 7.03.2019 rreth orës 14:05 në rrugën “Idriz Seferi” në Gjilan, i pandehuri Mustafë Avdija ka rrezikuar trafikun publik duke vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe pasurinë, ashtu që duke drejtuar automjetin për transport të markës “Scania”, pronë e Kompanisë “VEV Group” Prishtinë, nga pakujdesia dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore mbi Ligjin e trafikut rrugor, kyçet në rrugën kryesore nga parkingu i pemëtarisë “Mentori” në drejtim të qendrës së qytetit, e humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit, pasi që nuk arrin të frenojë, si pasojë e gjendjes paraprake jo të rregullt të frenimit si tërësi, shkakton aksident zinxhiror, nga i cili aksident humb jetën i ndjeri Q. Ç. dhe F. I. dhe lëndohen 23 persona, si dhe shkaktohen dëme materiale.

Ndërsa, i pandehuri V. T. si person përgjegjës i Kompanisë “VEV Group”, ka qenë i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund shkaktohet si rezultat i veprimit apo mos veprimit të tij, por me mendjelehtësi ka menduar se ajo nuk do të shkaktohet, duke e lejuar automjetin e tij të dalë në qarkullim në rrugë publike dhe si pasojë shkaktohet aksidenti i lartcekur.

Ndërkohë, në bazë të dispozitave ligjore, gjyqtari ka konfiskuar automjetin transportues “Scania” të kompanisë në fjalë, si mjet me të cilin është kryer vepra penale. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Back to top button