Rifat Latifi emërohet Ministër i Shëndetësisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në konferencë për media informoi se Ministër i ri i Shëndetësisë do të jetë Rifat Latifi.
Kryeministri tha se sot e nënshkroi vendimin për ministrin e ri të Shëndetësisë.
Ndër të tjera, Kurti tha se Latifi erdhi dje nga New Yorku për të punuar në dikasterin e Shëndetësisë.
Rifat Latifi është lindur në Kllodernicë të Skenderajt më 1955. Ai shkollën fillore e ka përfunduar në Turiqec, ndërsa shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë. Në vitin 1982 i ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë dhe po atë vit ka emigruar në SHBA. Fillimisht ishte vendosur në Hjuston, ku ka punuar në hulumtime shkencore.
Ai specializimin për kirurgji e ka filluar në Klinikën e Klivlendit, pastaj e ka vazhduar në Universitetin e Jelës, ndërsa specializimin e dytë në traumatologji të përgjithshme dhe reanimacion e ka kryer në New York, College of Medicine.
Latifi është bërë profesor universitar është bërë pas 5 vitesh të mbarimit të specializimit dhe mbajti shumë poste akademike dhe organizative me rëndësi në mjekësinë botërore. Gjatë karrierës së tij ai ka punuar në universitete dhe qendra spitalore me emër nëpër Amerikë, si Texas, Filadelfia, New York, Doha.
Aktualisht, është profesor i kirurgjisë dhe president i Kolegjit të Kirurgëve Amerikan për shtetin e Arizonës. Prof.Dr.Rifat Latifi, është krijues dhe implementues i Programit të Telemjekësisë në Kosovë dhe Shqipëri, program ky i financuar nga USAID. Është laureat i çmimit prestigjioz dhënë nga “IDG’s Computerworld Honors Program”, më 2011, shkruan Kp.
Prof. Latifi ka botuar libra për mjekësi (kirurgji, nutricion, laparaskopi dhe telemjekësi) si dhe është autor dhe bashkëautor i mbi 350 punimeve shkencore apo artikujve të librave shkencorë. Ai ka kryer specializimin në Kirurgji të Përgjithshme, një vit në Klinikën e Klivelandit, e pastaj në Universitetin Yale, që të dy këto institucione, nga më të mirat në botën mjekësore.
Sot, ai punon si profesor i kirurgjisë në Universitetin e Arizonës. Rifat Latifi, M.D.,FACS,FICS, ka punuar më përkushtim në afirmimin e shëndetësisë shqiptare. Kontributi i tij është i madh në themelimin e shërbimit të telemjekësisë në Kosovë dhe Shqipëri./21Media