Rikthehet në Argjentinë fanella e Maradonës që e ka veshur para 36 vitesh
Tridhjetë e gjashtë vjet pasi Argjentina e ka mundur Gjermaninë në finalen e Kupës së Botës të vitit 1986, fanella që Maradona e ka veshur në pjesën e parë iu dorëzua përsëri Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA).
Ish-mesfushori i Gjermanisë, Lothar Matthäus, i cili kishte ndërruar fanellat me Maradonën në pjesën e parë, ia dhuroi atë popullit argjentinas.
Një tjetër fanellë e Maradonës, të cilën argjentinasi e ka veshur kur ka shënuar golin “Dora e Zotit” kundër Anglisë në çerekfinalen e Kupës së Botës 1986, është shitur për 7.1 milionë dollarë në fillim të këtij viti. Ajo fanellë është nxjerrur në ankand nga ish-mesfushori i Anglisë, Steve Hodge.
Por, pavarësisht shumës astronomike që ka marrë fanella e “Dorës së Zotit”, Lothar Matthäus tha për “Daily Mail” se nuk e kishte menduar kurrë ta vendoste në ankand fanellën e tij të Maradonës.
Matthäus ia prezantoi fanellën popullit argjentinas në një ceremoni në ambasadën argjentinase në Madrid në gusht, duke thënë se “Diego është një zot në Argjentinë, prandaj ishte e veçantë t’u jepja atyre fanellën”.
“Sa keq që ai nuk është këtu sot,” tha Matthäus për Maradonën, i cili vdiq nga një sulm në zemër në vitin 2020. “Diego do të jetë gjithmonë i pranishëm në zemrat tona.”, shtoi ai.
Fanella u ekspozua në “Legends”, një muze që tregon pjesë historike të futbollit në Madrid, përpara se të kthehej në Argjentinë nga koleksionisti Marcelo Ordás të mërkurën.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?