Rikthehet në funksion të plotë zyra e Postës në Zveçan

Zyra postare Zveçan-2 është rikthyer plotësisht në funksion pas përfundimit të të gjitha riparimeve të nevojshme pasi u dëmtua nga një sulm me granatë të martën, njoftoi Posta e Kosovës.
Në komunikatën e Postës thuhet se kjo zyrë në Zveçan tashmë është pajisur me të gjitha kapacitetet e nevojshme dhe ka rifilluar ofrimin e shërbimeve në sportel.
“Posta e Kosovës njofton qytetarët se zyra postare Zveçan-2 është rikthyer plotësisht në funksion pas përfundimit të të gjitha riparimeve të nevojshme, si pasojë e dëmtimit nga sulmi i fundit. Me përkushtim dhe profesionalizëm, kemi realizuar restaurimin e plotë të infrastrukturës, duke përfshirë vendosjen e xhamave dhe rikonstruksionin e hapësirave të brendshme, për të garantuar një mjedis të sigurt dhe funksional për të gjithë përdoruesit e shërbimeve tona”, njoftohet përmes komunikatës.