Rikthehet puna në Onkologji

Nga sot është rikthyer në punë Shërbimi i Radioterapisë- Akseleratori për Rrezatim, po ashtu, Shërbimi i Brahiterapisë, Ct- Stimulatori dhe Mozaiku, në kuadër të Klinikës së Onkologjisë në QKUK, pas vërshimeve të fundit si pasojë e reshjeve të shiut.
“Rikthimi i këtyre shërbimeve është bërë, pas përpjejekjeve maksimale nga stafi i Klinikës së Onkologjisë, Sektori Teknik i QKUK-së dhe kompania që ka nën mirëmbajtje dhe servisim aparaturat mjekësore”, thuhet në njoftimin e Sherbimit Spitalor Klinik dhe Univeristar i Kosovës.
Sipas SHSKUK-së, pjesa e parë e pacientëve kanë kryer radioterapinë gjatë ditës së sotme, kurse pacientët tjerë do të thirren gradualisht.
Para fillimit të punës, është bërë dezinfektimi dhe dezinsektimi i hapësirave.
ShSKUK tutje ka falënderuar Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë, e cila ka qenë në kontakt të vazhueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës për situatën e krijuar dhe ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar pacientët kosovarë, që kanë pasur nevojë për Shërbimin e Radioterapisë.
Nga reshjet atmosferike, uji ishte arritur në bodrumin e Klinikës së Onkologjisë në QKUK. Si pasojë e kësaj ishte dëmtuar aparatura e Radioterapisë, e cila deri më tani ishte jashtë funksionit./21Media

Back to top button