Kaloni te përmbajtja kryesore

Hoxha: Kosova prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë

(Lajm i përditësuar)


Hoxha: Kosova prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë

Kryediplomati i Shqipërisë Ferit Hoxha dhe homologu i Kosovës Glauk Konjfuca mbajtën sot nga Prishtina një konferencë të përbashkët për mediat. Në fjalën e mbajtur të dy ministrat theksuan se në kohët e paqëndrueshmërive globale dhe dinamikave në rajon, duhet një koordinim më i intensifikuar mes dy shteteve tona.

Hoxha vuri në dukje se Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë, ndërsa Konjufca kërkoi mbështetjen e Tiranës për përshpejtim të anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Në diskutuam për një varg çështjesh në interesin tonë të përbashkët. Në këto kohe paqëndrueshmërive globale, koordinimi mes shteteve tona është një domosdoshmëri jetike. Ne duhet ta promovojmë rolin tonë si faktorë të stabilitetit në rajon. Krahas orientimit euro-integrues të shteteve të rajonit, anëtarësimi në NATO i shumicës së shteteve në rajonin tonë, ka qenë faktor stabiliteti. I kërkova ministrit Hoxha mbështetjen për një përshpejtim të anëtarësimit të Kosovës në NATO. Kosova dhe Shqipëria duhet të koordinohen më shumë për mbështetjen e mërgatës shqiptare kudo në botë. Përtej abetares duhet të shkojmë drejt unifikimit të sistemeve tona arsimore”, tha Konjufca në fjalën e tij.

“Kosova ka qenë pjesë e pandarë e tryezës sime në 36 vite të karrierës sime diplomatike. Ndihem thellësisht i emocionuar të jem në Prishtinë në këtë vizitë të parë në krye të MEPJ. Diskutimet që patëm sot ishin të hapura, të sinqerta, vllazërore. Kosova është prioritet absolut i politikës sonë të jashtme. Ramë dakord që dinamikat gjeopolitike në rajon dhe në Europë kërkojnë një intensifikim të mëtejshëm të koordinimit ndërqeveritar dhe diplomatik. U angazhuam për përgatitjen e takimeve të radhës. Bashkëpunimi ynë duhet të përkthehet më shumë lehtësi dhe më pak burokraci. Diskutuam për rritjen e koordinimit të ministrive tona të jashtme në të gjitha nivelet, përfshirë përfaqësitë diplomatike”, u shpreh Hoxha.


​Haxhiu pret në takim ministrin e jashtëm të Shqipërisë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu po pret në takim ministrin për Evropën dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha.

Mediat janë lejuar të marrin pamje por nuk do të ketë deklaratë për media, siç nuk do të ketë as në takimin me kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Edhe zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, do ta pres në takim ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë Ferit Hoxha. Pas takimit, të dy homologët do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.


Kryediplomati shqiptar viziton Kosovën, takohet me krerët institucionalë

Ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Kosovë.

Gjatë vizitës, ai fillimisht do të pritet në takim nga ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, në ora 10:00.

Më pas, kryediplomati shqiptar pritet të takohet edhe me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, si dhe me ministrin në detyrë të punëve të jashtme Glauk Konjufca.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button