Ripërsërit Haradinaj: Orët e humbura të mësimit do të kompensohen

Haradinaj ka thënë ligji për pagat do të kalojë deri më 31 janar

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se të gjitha orët e humbura, si shkak i grevës së mësimdhënësve do të kompensohen. Mes tjerash, ligji për pagat ka thënë se do të kalojë deri me datën 31 të këtij muaji.

Duke folur për grevën e SBASHK-ut, kryeministri ka thënë se orët e humbura do të kompensohen. Këto deklarata kryeministri i bëri gjatë homazheve tek shtatorja dhe kulla e Haxhi Zekës.

“Projektligji për pagat nuk është vetëm për arsimin është për policët, është për zyrtarët, për zjarrfikësit, për 80 e sa mijë që janë të paguar nga shteti, pra ky ligj do të ndodhë, besojmë me 31. Unë nuk do të insistoj në asnjë veprim tutje, sa i përket atyre është në vetëdijen e tyre. Një gjë ju garantoj të gjithëve, asnjë orë e humbur nuk do të mbet pa u plotësu . Mirë është me u kthy tash, se sa me hup vera, duke i mbulu orët që humbin sot. Pra, duhet me u kthy se rritja është e respektueshme, është rritja më e madhe që kish mujt me bo dikush ndonjëherë”, ka theksuar Haradinaj, si dhe e ka quajtur të gabuar vendimin e SBASHK-ut.

Haradinaj ka treguar edhe për investimin 1 miliardë e 300 milionë dollarë që do të bëhet në energji.

“Taksa e vendosur ndaj mallrave të Serbisë, nuk është bërë për inati të askujt, është interes i yni personal, dhe prodhuesit e vendit në këtë rast duhet me pri me kualitet, me pri me garancë, me produkte të sigurta. Dhe me pasë arsye të shëndosha, se Kosova me prodhimet e veta, jo vetëm me mbulu tregun e vet, por edhe me eksportu më shumë. Ky vit është i ekonomisë, pra e keni pa dje kemi lajmëruar do të ndodhë një investim më i madh që do të ndodhë në Kosovë, 1 miliardë e 300 milionë dollarë pra në energji. Është kompani amerikane, fillon menjëherë në shkurt dhe në mars fillojnë punimet, rritjen ekonomike tash e kemi 4,5,por me këtë investim mendojmë me rrit për 7 për qind, do të jetë më e madhja në Evropë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se infrastruktura në komunën e Pejës do të avancojë, duke përmendur kështu autostradën Pejë-Prizren, për të cilën ka thënë se do të jetë më e madhja. Ndërsa, Haradinaj edhe një herë ka përsëritur se taksa e vendosur ndaj mallrave serbe është interes nacional dhe se një vendim i tillë nuk është marrë për inati të askujt.

Nga 14 janari të gjitha institucionet arsimore në Kosovë, të të gjitha niveleve janë në grevë dhe greva sipas SBASHK-ut pritet të vazhdojë deri në realizimin e kërkesës së tyre.

Back to top button