Rishikimi i buxhetit, LDK nuk e voton

Hamza  tha  se rishikimi është bërë në harmoni me programet e FMN-së

Ministri i Financave Bedri Hamza gjatë paraqitjes së plotësim ndryshimit të ligjit për buxhetin e Kosovës, tha se Qeveria e Kosovës me marrjen e mandatit është ballafaquar me mungesë për alokimin e shumë programeve dhe linjave buxhetore, të cilat kanë bërë të domosdoshme procesin e rishikimit të këtij buxheti.

Ai tha se lartësia e këtyre kërkesave dhe kufizimeve në legjislacionin bazë e kanë bërë të pamundur adresimin e nevojave përmes nenit 16 të Ligjit të buxhetit, i cili lejon ndryshimin e rialokimeve deri në 5 përqind të totalit të buxhetit.

Hamza shtoi se rishikimi është bërë në harmoni me programet e FMN-së. Sipas tij, Qeveria me rishikim i është qasur projekteve madhore.

“Pagesën për kategoritë e dala nga lufta e kemi obligim ligjor, e duhet me përmbushur këtë obligim. Sa i përket sigurimeve shëndetësore, në momentin kur të krijohen parakushtet ligjore, sigurisht se ne do të reflektojmë ato në buxhet. Mirëpo, nuk do të qesim mjete pa u krijuar parakushtet ligjore pa u bërë kjo si ndryshim i ligjit, pa u kryer aktet nënligjore, pa u caktuar çmimet e shërbimeve dhe pa u pajisur personat me kartela. Një çështje tjetër që është debatuar, është rruga apo autostrada për Gjilan. Ky projekt ka kaluar në një fazë tjetër, tek organet që janë jashtë ndikimit të Qeverisë. Ne nuk paragjykojmë se si do të jetë fundi i këtij procesi, është çështje e organeve të tjera. Mirëpo ne iu sigurojmë dhe iu garantojmë, sepse me buxhet të rregullt kanë qenë të parapara 1 milion e 850 mijë euro, në çdo moment pasi ligji na lejon jo vetëm 1 milion e 850 mijë, por edhe 2 milionë e 850 mijë jemi në gjend je me I siguruar për këtë projekt”, tha ministri Hamza.

Deputeti i LDK-së Naser Osmani, ka deklaruar se grupi parlamentar i LDK-së nuk do ta votojë rishikimin e buxhetit. E arsye për këtë sipas tij mbetet heqja e mjeteve për autostradën Prishtinë – Gjilan, si dhe heqja e mjeteve nga fondi i sigurimeve shëndetësore, për veteranët e luftës.

Ndërsa Dardan Molliqaj nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se buxheti i Kosovës nuk është dy miliardë euro.

Molliqaj tha se kjo mënyrë e buxhetimit dhe ndarjeve po rezulton me mos zhvillim ekonomik për vendin.

Deputetja e PDK-së Safete Hadërgjonaj tha se i vlerëson përmirësimet që janë bërë që ky buxhet të kthehet në shifrat reale.

Deputeti Enver Hoti, tha se Grupi parlamentar i Nismës për Kosovën, do ta votojë rishikimin e buxhetit, i cili sipas tij po kthehet me këmbë në tokë. Ndërsa u bëri thirrje dhe deputetëve të partive tjera, që ta votojnë atë.

Ndaj këtyre deklaratave të deputetëve të opozitës ka reaguar ministri i Financave Bedri Hamza ku sipas tij buxheti real është 1 miliard 810 milionë euro.

Debati për rishikim të buxhetit është duke vazhduar./21Media

Back to top button