Rizvanolli këshillon qytetarët t’i izolojnë shtëpitë para dimrit

(Live update)

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli para deputetëve theksoi se si Qeveri kanë marrë disa masa për përballje me këtë situatë derisa ka dhënë edhe disa këshilla për qytetarët.
Sipas saj, qytetarët duhet t’i izolojnë shtëpitë përpara se të ftohet moti derisa ka potencuar se duhet të ndërrohet edhe mënyra e ngrohjes, pra që të mos shfrytëzohet rryma për ngrohje.
“Çfarë mund të bëjnë familjet, është marrin masa për izolim të shtëpive para se të fillojnë temperaturat e ulëta. Të përpiqen të ndërrojnë mënyrën ngrohjes, pra jo me energji elektrike. Ne si qeveri kemi marrë dhe po vazhdojmë të marrim masa në shumë drejtime, prej kursimit deri tek mbështetja për ata që nuk i kanë mundësitë”, theksoi ajo.
S’ka kuorum për t’i vazhduar masat emergjente për energjinë

Për shkak të mungesës së kuorumit, ka dështuar votimi i kërkesës së Qeverisë për masat emergjente. Vetëm 58 deputetë kanë marrë pjesë në votim për vazhdim të masave emergjente për furnizim me energjinë.
Para votimit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se për çmimin e rrymës duhet të ketë diskutim të hapur.
“Do të vijmë edhe dhjetë herë e do të kërkojmë nga ju të votohet pasi është e nevojshme për të bërë zgjidhje të shpejtë për qytetarët. Çmimi më i lirë është në Kosovë, nuk është as në Shqipëri e as Maqedoni. Në Shqipëri e Maqedoni situata po mbahet të tillë duke paguar 1000 euro për megavat orë. Duhet të kemi diskutim të hapur në Kuvend, shoqëri kudo, për atë sa duhet të paguajmë me çfarë çmimi për megavat orë si shtet”, ka thënë ajo.
 
Nagavci: I kemi plotësuar mbi 90% të kërkesave të mësimdhënësve

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se sot u bënë 21 ditë që mësimi nuk po zhvillohet për shkak të grevës.
E para e arsimit ka thënë se ka pritur nga të gjithë që në deklaratat publike të bëjnë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje.
Nagavci ka thënë se mund të flasin çfarëdo që duan, por u ka bërë thirrje mësuesve e prindërve të gjykojnë drejtë.
“Kjo Qeveri i ka rregulluar koeficientet në Ligjin për Paga për të gjithë mësimdhënësit. Në mbledhjen e Komisionit, përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë pranuar që Qeveria i ka plotësuar mbi 90 për qind e kërkesave të mësimdhënësve. Thërras të gjithë mësimdhënësit që thirrje të jetë e sinqertë që të hënën të nis mësimi”, ka thënë ajo.
Ndërkaq kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se ministrja nuk e meriton të jetë në këtë pozitë.
Sipas tij, qeveria nuk është të bëjë thirrje, por zgjidhje.
 
Kurti: Çmimet s’janë rritur vetëm për mësuesit e arsimtarët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se për kryeministrin Albin Kurti nuk ka qenë me rëndësi dëmi që u është shkaktuar nxënësve nga greva, por sipas tij, për një politikan të tillë është i rëndësishëm fundi triumfues.
Kreu i opozitës pati akuza edhe për ministrat dhe deputetët e shumicës, duke thënë se menduan vetëm si të dalin triumfues nga greva në arsim duke thënë se greva e mesimdhënësve është problem specifik.
Lidhur me këtë e rplikoi kryeministri, Albin Kurti duke thënë se “çmimet nuk janë rritur vetëm për mësuesit e arsimtarët”.
“Nuk është problem specifik, prandaj nuk mundemi ta trajtojmë si problem specifik. Kam takuar BSPK-në, SBAShK-n edhe Këshillin grevistë dhe ata thoshin se janë rritur çmimet. Çmimet nuk janë rritur në mënyrë specifike vetëm për mësuesit dhe arsimtarët. Nese ne vetësherbime apo markete do të shkruante: çmimet e rritura vlejnë vetëm për mësuesit dhe arsimtarët ky do të ishte një problem specifik”, tha Kurti duke theksuar se çmimet janë rritur për të gjithë dhe për këtë eshtë pakoja e përballjes së inflacionit.
 
Ramush Haradinaj përplaset me ministrin Murati

Haradinaj nga foltorja e Kuvendit ka shpjeguar se pengohet vazhdimisht gjatë fjalimit nga kabineti qeveritar dhe tregon se kjo ishte arsyeja pse pak minuta më parë kishte ndalur fjalimin në gjysmë.
“Sa herë flasë prej foltores nga prapa pengohem, mënyra të ndryshme me fjalor jo aq njerëzor. Nuk e dëgjon publiku, por e dëgjon ai që flet. Ka të tjerë, s’po përmendi emra, nëse vazhdon praktika duhet të kthehem me ja kthy unë në atë mënyrë. Ju paralajmëroj pasi nuk kam rrugë tjetër. Ky ‘good guy’ i yni këtu është i keqtrajtum, është rritur me urrejtje. Regjimet, regjimi i këtij, i atij. Prej që është bërë regjim, është kthyer duke u urryer ata që e kanë sjellë këtu, si ka mbetur kënd me urryer tjetër. I ka urryer me shpirt. Prej që është bërë regjim, po i urren tash ata që e kanë sjellë. Armiqtë e brendshëm, kush janë për të, sindikatat, mësuesit, duhet me i urryer, me tentu me i nënshtru. S’po e nënshtron PAN-in, por mësuesit, ta tregojnë ata vendin kur vjen koha. I ka gjetur miqtë e brendshëm brenda VV-së po ashtu, do nuk ia votojnë do ia votojnë”, ka thënë Haradinaj.
 
Mustafa: Investimet kapitale kanë ngecur, Qeveria ruan rreth 800 milionë euro në banka

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se ende nuk ka ndonjë investim apo realizim substancial të investimeve kapitale që ndërlidhin qendrat e qyteteve.
Sipas tij, nuk është parë asnjë investim kapital sa i përket investimit në kapacitetet e reja gjeneruese në fushën e energjisë.
Sipas tij Qeveria ka rreth 800 milionë euro në llogaritë bankare, që nuk investohen në projekte kapitale.
“Ne sot kemi deponuar një kërkesë për debat për mosrealizimin e investimeve kapitale për vitin 2022”, ka thënë ai.
 
Sot seanca e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për të mbajtur seancë plenare. Ata do të mblidhen në ora 10:00.
Në rend të ditës janë shqyrtimi e projektligjit për sanksionet e shënjestruara kundër shkelësve të huaj të të drejtave të njeriut, shqyrtimi i Projektligjit për anti doping dhe ai i projektligjit për edukimin në fëmijërinë e hershme.
Rendi i ditës:
1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2. Pyetjet parlamentare,
3. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-155 për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të drejtave të njeriut,
4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-152 për Anti dopingun,
5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-153 për edukimin në fëmijërinë e hershme,
6. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar./21Media

Back to top button