“RMV solli vendime të guximshme, BE duhet të veprojë”, Von der Leyen: Bisedohet me Shkupin dhe Sofjen për zgjidhjen e kontestit

Keni bërë rrugë të gjatë drejt Bashkimit Evropian, nuk ka mbetur edhe shumë, ejani të bëjmë edhe një hap para drejt dyerve të Unionit, tha kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës saj në Shkup.
Ne ju duam në BE dhe ju duam afër nesh, shtoi ajo, duke theksuar se Maqedonia e Veriut mund të llogarisë në Komisionin Evropian.
“Është e vërtetë se ardhmëria e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian. Ju duam afër nesh. Komisioni Evropian dhe unë qëndrojmë në këtë qëndrim dhe ju mund të mbështeteni tek ne. Ju arritët përparim të madh dhe sollët vendim të guximshëm dhe dua të ju uroj për këtë. Dua të jem shumë e qartë, se tani Bashkimi Evropian duhet të veprojë. Bashkimi Evropian dhe Maqedonia e Veriut tashmë janë gati t’i bashkojnë forcat”, tha Ursula Von der Lajen – kryetare e Komisionit Evropian.
Von der Leyen theksoi se si Komision Evropian po punojnë me të dyja palët, Maqedoninë e Veriut dhe  Bullgarinë, që të tejkalohen pengesa e fundit dhe të fillohet me seancën e parë ndërqeveritare.
“Ju ftoj që të mos humbni kohë. Erdhëm deri këtu, bëtë aq rrugë të gjatë dhe bëtë aq shumë përparim dhe me të vërtetë ju uroj për gjithë këtë. Ejani tani të bëjmë edhe një hap para. Ju keni mbështetjen e shumë miqve në Bashkimin Evropian dhe në Komisionin Evropian dhe eja të punojmë vyeshëm në mbajtjen e asaj seance të përbashkët”, shtoi kryetarja e Komisionit Evropian.
Ajo tha se qëllimi dhe fokusi i saj është që të dy vendet edhe Shqipëria edhe Maqedonia e Veriut të fillojnë negociatat me Bashkimin Evropian. Edhe kryeministri Zoran Zaev tha se është i nevojshëm përshpejtimi i hapjes së negociatave sepse ka forca regresive që nuk i duan vlerat evropiane.
“Bllokimi i këtij procesi nuk është në frymën e këtij përcaktimi. Vlerësojmë se është e nevojshme përshpejtimi i proceseve për marrjen të vendimeve sepse çdo vonesë e bllokimit i inkurajon forcat regresive të cilat janë kundër vlerave evropiane dhe Bashkimit Evropian”, deklaroi Zaev.
Ursula von der Leyen paradite qëndroi në Tiranë, ndërsa deri më 30 shtator do t’i vizitojë të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Shefja e Komisionit Evropian këto vizita po i bën një javë para Samitit BE-Ballkani perëndimor që do të mbahet më 6 tetor në Slloveni me liderët e rajonit./TV21

Back to top button