Roboti shkon në shkollë në vend të një nxënësi të sëmurë

Joshua Martinangeli, 7 vjeç, është shumë i sëmurë për të shkuar në shkollë. Por, nxënësi gjerman ende mund të ndërveprojë me mësuesin dhe shokët e tij të klasës përmes një roboti avatar që ulet në klasë në vendin e tij dhe dërgon një sinjal vezullues kur ai ka diçka për të thënë.
“Fëmijët flasin me të, qeshin me të dhe ndonjëherë edhe bisedojnë me të gjatë mësimit. Joshi mund ta bëjë këtë mjaft mirë gjithashtu”, i tha Reuters në një intervistë Ute Winterberg, drejtoreshë në Pusteblume-Grundschule në Berlin.
Joshua nuk mund të ndjekë mësimet sepse mban një tub në qafë për shkak të një sëmundjeje të rëndë të mushkërive, tha nëna e tij, Simone Martinangeli.
Projekti është një nismë private e paguar nga këshilli lokal në distriktin e Berlinit Marzahn-Hellersdorf, transmeton rtv21.tv.
“Ne jemi i vetmi distrikt në Berlin që kemi blerë katër avatarë për shkollat e tij. Shtysa ishte COVID-19, por mendoj se kjo do të jetë e ardhmja shumë përtej pandemisë”, tha këshilltari i arsimit në rreth, Torsten Kuehne.
“Ndodh herë pas here, për arsye të ndryshme, që një fëmijë nuk mund të shkojë personalisht në klasë. Më pas, avatari mund t’i japë atij një shans që të mbetet pjesë e komunitetit të shkollës”, tha Kuehne.
Ai shtoi se projektin e kishte sjellë tashmë në diskutime politike në nivel shtetëror./21Media

Back to top button