Rohde: Prioritetet e Kosovës, lufta ndaj korrupsionit dhe dialogu

 

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, thotë se është thelbësore që pas 14 shkurtit Kosova ta ketë një qeveri stabile që të punojë me përkushtim në zhvillimin e Kosovës në mënyrë që të ketë më shumë lajme të mira nga Kosova.

“Përtej pajtimit rreth çështjes së presidentit si prioritet të parë për qeverinë e re, e shoh punën sa më efektive të mundshme për të tejkaluar pasojat gjithëpërfshirëse dhe shkatërruese ekonomike, financiare dhe sociale të shkaktuara nga pandemia”, tha Rohde.

Ai ka thënë se sheh edhe dy prioritete të tjera për qeverinë e ardhshme të Kosovës.

“Përveç kësaj unë i shoh dy prioritete për Kosovën: E para, është koha e fundit që qeveria e re të fillojë seriozisht të ‘fjalët t’i zëvendësojë me vepra’ duke e luftuar korrupsionin dhe krimin në mënyrë thelbësore. E dyta, dialogu me Serbinë. Një qeveri e re dhe stabile me një mbështetje të fuqishme parlamentare nevojitet të investojë kapitalin politik dhe vullnetin politik në këtë dialog të lehtësuar nga BE – siç nevojitet ta bëjë edhe Serbia”, përfundoi ai.

Ambasadori gjerman në Kosovë gjithashtu ka kërkuar transparencë dhe respektim të zgjedhjeve të 14 shkurtit nga të gjithë aktorët e përfshirë./kp

Back to top button