“Roli i KFOR-it vazhdon të jetë i nevojshëm në Kosovë”

Kreu i Qeverisë e vleroi lart rolin e ushtarëve të KFOR-it

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj priti në takim njohës komandantin e ri të KFOR-it, Gjeneral Lorenzo D’Addario. Me këtë rast, Haradinaj tha se “roli i KFOR-it vazhdon të jetë i nevojshëm në Kosovë dhe ne jemi të përkushtuar si Qeveri që të bashkëpunojmë ngushtë, në të mirë të sigurisë në vend”.

Duke uruar komandantin e ri të KFOR-it, kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj e siguroi Gjeneralin Lorenzo D’Addario se do ta ketë gjithë angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të punuar së bashku, duke e bërë Kosovën dhe rajonin një mjedis të qetë dhe të sigurt.

“Ne jemi të hapur që partneritetin tonë ta avancojmë dhe këtë e kemi dëshmuar në të kaluarën dhe do të vazhdojmë angazhimin korrekt si Qeveri për marrëdhënie të mira dhe të qëndrueshme me KFOR-in”, tha Haradinaj.

Më tej, kryeministri dhe gjenerali D’Addario kanë bashkëbiseduar për situatën e përgjithshme në vend dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Haradinaj e vlerësoi lart rolin e ushtarëve të KFOR-it, për angazhimin e tyre në Kosovë, ndër vite duke i falënderuar ata për kontributin e tyre në krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë. Nga ana e tij, Komandanti i ri i KFOR-it, Lorenzo D’Addario e falënderoi Haradinajn për pritjen e sotme duke shtuar se do të japë kontributin e tij në sigurimin e paqes në vend.

“Jemi këtu që të kontribuojmë për sigurinë e qëndrueshme. Jam mirënjohës për gatishmërinë që keni treguar si Kryeministër i vendit dhe jam i hapur për bashkëpunim, për qëllimin e përbashkët, sigurinë dhe paqen në vend”, tha D’Addario.

Me 28 nëntor përmes një ceremonie solemne është bërë ndërrimi i Komandës së KFOR-it nga komandanti i deritanishëm, Salvatore Cuoci, te Lorenzo D’Addario. /21Media

Back to top button