Roli i mediave në situatë të krizës politike

Ekspertët: Disa po kontribuojnë në tensionimin e situatës

Gjendja e mediave në Maqedoni është e vështirë dhe se ata po përballen me një krizë të madhe sa i përket respektimit të standardeve, vlerësojnë ekspertë të fushës mediatike. Sipas, Sefer Tahirit në situatë të krizës politike disa nga mediat po kontribuojnë në tensionimin e situatës dhe nxitjes së gjuhës së urrejtjes.

“Ne në këtë situatë kur kemi krizë të madhe politike dhe kur situata e sigurisë është e tensionuar ne ballafaqohemi me një fenomen që është nxitja e tensioneve dhe në njëfarë mënyre e emocioneve politike dhe etnike dhe në njëfarë mënyre mediat po kontribuojnë në tensionimin e situatës, duhet të jetë e kundërta mediat nuk duhet të përdorin gjuhë e cila i ngrit këto tensione dhe në këtë aspekt mendoj se Agjencia e Mediave duhet të kontribuoje më shumë që situata të jetë më e rregullt dhe mediat të kryejnë rolin e tyre”, tha Sefer Tahiri, ekspert i sferës mediatike.

Sipas gazetares, Gordana Duvnjak duhet të vendosen mekanizma të vetë rregullimit të mediave që gazetarët dhe komuniteti mediatik të vetëvendosin pa u ndikuar nga jashtë.

“Sfera Mediatike në Maqedoni është e polarizuar, punohet në kushte të vështira, i gjithë tregu mediatik është shkatërruar, në shikim edhe të reklamave edhe të funksionimit të mediave dhe e gjithë ajo e bën sferën mediatike të varur edhe nga politika edhe nga reklamuesit ashtu që e gjithë kjo shihet edhe në vlerësimin e raporteve ndërkombëtare që e ndjekin punën dhe gjendjen e mediave”, tha Gordana Duvnjak, gazetare.

Nga Qendra për zhvillim të mediave thonë se është e vështirë që mediat të vet-rregullohen për shkak financave, por thonë se duhet bërë përpjekje.

“Është e vështirë që vet-rregullimi të ketë sukses kur mediat para se gjithash financiarisht janë të dobëta që t’i përballojnë presionet që imponohen”, tha Dejan Georgievski, qendra për zhvillim të mediumeve.

Nën organizim të Qendrës për zhvillim të mediave u diskutua për Standardet profesionale të gazetarisë në mes të rregullimit dhe vetë-rregullimit. Ekspertët shprehën shqetësim edhe për mediat online që sipas tyre nuk janë aspak serioze dhe profesionale. Sipas ekspertëve duhet të ketë një regjistër të këtyre mediave me anën e së cilës do të evidentoheshin të gjitha mediat të cilat funksionojnë në tregun mediatik sepse siç thonë Maqedonia po përballet me një kaos të paparë të elementeve destruktive, shpifjeve, fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes.

Back to top button