Rrahja në Kuvendin e Kosovës në ballinat e mediave ndërkombëtare

Paraditen e 13 korrikut, gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës kishte përleshje fizike mes deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë, teksa opozita po kritikon pushtetin për shkak të publikimeve të disa përgjimeve ku është përfshirë Kusari-Lila.

Përleshja fizike mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga ana e opozitës dhe pozitës, është bërë kryetemë e mediave botërore.

Daily Mail raporton se përleshja fizike mes deputetëve filloi kur Mergim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës iu afrua kryeministrit Albin Kurti, të cilin e spërkati me ujë.

Po ashtu BBC ka raportuar se shpërtheu sherri në parlamentin e Kosovës.

Sky News ka shkruar se “një përleshje e madhe shpërtheu në parliamentin e Kosovës”.

Agjencia e lajmeve AFP ka shkruar se Kuvendi i Kosovës “nuk është i panjohur për përballje të tilla”. Aty është kujtuar se kur Kurti ka qenë në opozitë, ka hedhur gaz lotsjellës në seanca, duke detyruar ligjvënësit të bartnin maska.

“Associated Press” ka shkruar se opozita është e nervozuar me vendimin e Kurtit për reduktim të forcave policore në veri, duke e cilësuar si “eksperiment” të tij në veri e prishje të pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare./21Media

 

Back to top button