Rrahje ndërmjet një çifti në Gjilan, Prokuroria ndaloi burrin

U ndalua një person për dhunë në familje

Prokuroria Themelore në Gjilan bën të ditur se dje ka ndaluar të dyshuarin B.A., në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’ nga neni 188 paragrafi 3 nën paragrafi 3.1 lidhur me nenin 1 nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Ekziston dyshimi i bazuar se, më 19 dhjetor 2018, rreth mesnatës, në komunën e Gjilanit, i dyshuari B.A., për shkak të një mosmarrëveshje me bashkëshorten e tij A.A, janë përleshur, duke i shkaktuar lëndime trupore njëri tjetrit, në atë mënyrë që derisa bashkëshortja e tij ishte duke fjetur, i dyshuari ia kontrollon telefonin dhe në momentin kur e njëjta e vëren fillon fjalosja mes tyre, me ç’rast i dyshuari e gjuan të njëjtën me telefon, e kap për flokë dhe e godet me grushte në pjesë të ndryshme të trupit”, bën të ditur prokuroria.

E dyshuara A.A, në shenjë revolte, siç thekson prokuroria dyshohet që me një dru e ka goditur në krah bashkëshortin e saj, pastaj e ka gjuajtur me djep të fëmijëve duke e lënduar në dorë.

“Të dyshuarit, si pasojë e goditjeve, kanë pësuar lëndime të dukshme trupore, të cilat edhe janë evidentuar në raportet mjekësore. Ndaj të dyshuarve është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve, ndërsa për të dyshuarin B.A., është ushtruar edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën kompetente në Gjilan, në kohëzgjatje prej 30 ditësh, me qëllim që të parandalohet përsëritja e veprave penale dhe të sigurohet zbatim i suksesshëm i procedurës penale”, bëhet e ditur më tutje në komunikatën e Prokurorisë së Gjilanit./21Media

Back to top button