Rrëfimet e të mbijetuarve nga aksidenti në Kroaci: Ishte një masakër

Dhjetë persona kanë mbetur të vdekur e mbi 40 të tjerë  të lënduar në aksidentin e një autobusi nga Kosova në Kroaci.
Në konviktin ku po qëndrojnë të mbijetuarit e këtij aksidenti dominon një heshtje fantazmë dhe mashtruese. Por tronditja që njerëzit mbijetuan dhe trauma psikologjike me të cilën do të duhet të përballen gjatë gjithë jetës së tyre është gjithashtu e vështirë të përshkruhet.
Fidan Hajdari, i cili punon dhe jeton në Gjermani dhe kishte marrë rrugën për Kosovë, me vështirësi i mban lotët duke treguar momentin kur ndodhi aksidenti.
“Ne që ishim në pjesën e sipërme të autobusit bëmë mirë, por ata që ishin poshtë … ishte një masakër e vërtetë. Pothuajse të gjithë pasagjerët flinin në autobus në gjashtë të mëngjesit. Ende nuk e kam të qartë se si ndodhi një tragjedi e përmasave të tilla”, shprehet ai.
Ai thotë se gjëja e parë që mban mend pas përmbysjes kur u zgjua ishte mendimi se sapo ishin rrotulluar dhe se nuk ishte një aksident i rëndë.
Enes Mehmeti udhëtoi nga Zagrebi për t’u dalë në ndihmë bashkëvendasve.
“Kam ardhur për të ndihmuar njerëzit nga vendi im. Sapo dëgjova se çfarë kishte ndodhur, arrita menjëherë. Kam biseduar me njerëzit që ishin në autobus. Të gjithë përshkruajnë ato skena të tmerrshme. Pjesa e poshtme e autobusit pësoi më së shumti. Për dy pasagjerët, familjet nuk e dinë ende në cilin grup janë, të plagosurit ose të vdekurit sepse nuk janë këtu. Pasiguria që zgjat me orë të tëra është e tmerrshme”, thotë Mehmeti, i tronditur nga dëshmitë.
Gjevahire Gashi, një zonjë e moshuar e cila ende ka të veshur një bluzë krejtësisht të përgjakur,  thotë se këtë ngjarje nuk do ta harrojë kurrë.
“Kam udhëtuar vetëm, por tani për këta njerëz ndihem sikur jemi një familje e madhe. Nuk e di se çfarë do të bëja pa këta të rinj, ata më ndihmuan në lidhjen e internetit që të mund të kontaktoja familjen time. Ajo që kemi provuar është tmerri. Imazhet do të qëndrojnë në kokën time përgjithmonë”, shprehet ajo.
“ Thjesht nuk dua që ky aksident të mbulohet me gënjeshtra, shpresoj që të gjithë do të bëjnë çmos për të zbuluar shkakun e tij të vërtetë”, shton ajo.
Derisa shumica e udhëtarëve po qëndronin në pjesën e jashtme të konviktit, brenda ishte me orë të tëra një vajzë që udhëtonte me nënën e saj, e cila ende nuk kishte marrë informacion nëse nëna e saj ishte mes të plagosurve apo të vrarë.

Ndryshe, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka shpallur të hënë ditë zie shtetërore në nderim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Republikën e Kroacisë.

 

Back to top button