Rrëmbimi i policëve, Rama: Presim fjalën e KFOR-it që po heton rastin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se janë në pritje të deklarimeve të KFOR-it sa i përket ngjarjes së rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.

Ndërsa ka theksuar se vazhdojnë t’i qëndrojnë de-eskalimit imediat.

“Kush thotë se po heshtim apo kush kërkon t’i hedhim benzinë zjarrit duke ngritur akuza ndërkohë që KFOR-i po investigon rastin, nuk do t’ia dijë as për Kosovën e as për Shqipërinë, po vetëm për luftën e stërhumbur politike me mua apo për politikën e luftës imagjinare me Serbinë”, ka thënë Rama.

Ai ka shkruar se Shqipëria është në linjë me bashkësinë euroatlantike.

“Prandaj më duhet edhe njëherë t’u kujtoj se Shqipëria është pjesë e bashkësisë euroatlantike dhe ka fiks të njëjtën linjë të kësaj bashkësie, e cila bombardoi Serbinë dhe krijoi shtetin e Kosovës! Ne presim fjalën e KFOR-it që po heton rastin dhe i qëndrojmë de-eskalimit imediat”, ka shkruar Rama.

Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.

Back to top button