Rreth 100 mijë vizita në Manifesta 14

Manifesta, Bienalja Evropiane e Artit Bashkëkohor ka pasur rreth 100 mijë vizita në hapësirat e kësaj bienaleje deri më tani.

“Ju nxisim të vijoni të shihni ekspozitat, ndërhyrjet dhe hapësirat në tërësinë e tyre para se Manifesta të përfundojë më 30 tetor. Këto 25 hapësira shtrihen në të gjithë qytetin, e ne ju ofrojmë guida të hapura të ndërmjetësuara secilën ditë të javës si një mënyrë shumë e mirë për t’ju udhëzuar dhe për ta parë qytetin në perspektiva të reja. Secila hapësirë tregon një histori të ndryshme, ndaj sigurohuni t’i vizitoni të gjitha”, thuhet në njoftim.

Tetori, sipas tyre, do të jetë një muaj i tejmbushur me evente duke përfshirë dhe prezantimin e linjës së re të Venera Mustafa në bashkëpunim me Konferencën e Dizajnit REDO, konferencën dy ditore të Shoqatës së Bienaleve që sjell folës të mirënjohur ndërkombëtarë në Prishtinë dhe më së fundi, eventin e tretë të Manifesta Nights së bashku me kolektivin Hapësira.

“Do të lajmërojmë në vijim dhe ceremoninë speciale të mbylljes për të shënuar fundin e bienales, ndaj na vizitoni”, thuhet tutje në njoftim.

Programi i Manifesta 14 vijon, në të gjitha hapësirat, ekspozitat dhe ndërhyrjet që janë të hapura prej të martës në të diel nga ora 10:00 deri më 20:00./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button