Rreth 330 raste të reja me kancer për tre muaj

Në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë identifikuar rreth 330 raste të reja me kancer, në tre muajt e parë të 2022.
Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë, ka thënë për rtv21.tv se format më të shpeshta të sëmundjeve malinje në Kosovë janë kanceri i gjirit te femrat dhe kanceri i mushkërive te meshkujt.
Kurtishi ka thënë tutje se asnjë rast i grave shtatzënë me kancer nuk është regjistruar këto 3 muaj.
Çdo ditë, në Klinikën e Onkologjisë marrin terapi 200 deri në 240 pacientë në Shërbimin e Kimioterapisë, ndërsa në Shërbimin e Radioterapisë çdo ditë rrezatohen 120 deri në 130 pacientë, dhe 4-5 pacientë kryejnë brahiterapi.
Drejtori i Onkologjisë u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të lajmërohen te mjeku për çfarëdo problemi që kanë.
“Diagnostikimi i hershëm i sëmundjeve malinje do të thotë shërim”, ka thënë ai.
Në Klinikën e Onkologjisë në vitin 2021 janë trajtuan 1 mijë e 626 pacientë si raste të reja me sëmundje malinje. Sipas Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, prej tyre, 400 raste ishin të identifikuara me kancer në gji, 214 raste me kancer në mushkëri, 391 raste me kancer në traktin gastrointestinal, 419 raste me kancer në sistemin urgjenital dhe gjinekologjik, si dhe 205 raste me kancer në regjionin kokë-qafë.
Në vitin 2021, në Klinikën e Onkologjisë kanë filluar teknikat IMRT për mjekimin e sëmundjeve malinje. Gjithashtu ka filluar për herë të parë puna e Brahiterapisë.
“Edhe përkundër faktit se ishte vit pandemik dhe shumica e shërbimeve shëndetësore në nivel vendi u ndalën përkohësisht, Klinika e Onkologjisë shkoi përpara duke iu mundësuar qytetarëve tonë që vuajnë me sëmundje malinje, këto shërbime të i marrin në klinikën tonë. Për herë të parë Shërbimi i Fizioterapisë në kuadër të Klinikës filloi me trajtim të plotë dhe modern të problemeve fiziatrike të pacientëve me kancer (furnizim komplet me pajisje moderne fiziatrike)”, ka thënë Kurtishi për rtv21.tv
“Qysh nga fillimi i punës në Klinikë si drejtor, kemi fillua me përmirësimin e furnizimit me ilaçe, dhe përditësimin e listës esenciale të barnave, futjen e Imunoterapisë në përdorim te pacientët që kanë nevojë për të, shtimin e 5 ilaçeve të reja dhe veçanërisht ilaçin në trajtimin shumë modern të kancerit të gjirit Her +, me terapi të trefishtë që është standard of care”, ka shtuar Kurtishi.
Tutje, ai ka thënë se sfida më e madhe ka qenë ofrimi i shërbimeve shëndetësore për pacientët me kancer gjatë fillimit të pandemisë, pasi pacientët me kancer kanë qenë të kategorizuar në grupin e katërt për përfundim fatal nëse infektohen me COVID-19.
“Për fat të mirë asnjë nga pacientët me kancer që kanë qenë në mjekim specifik onkologjikë nuk ka përfunduar keq”, ka thënë drejtori.
Sot mjekim i sëmundjeve malinje në Kosovë, sipas Kurtishit, bëhet në mënyrë të avancuar me të gjitha protokollet e trajtimit të sëmundjeve malinje, sikur në çdo vend të rajonit e më gjerë.
“Kjo ka bërë që edhe referimet për trajtim të sëmundjeve malinje të tumorëve solid te adultët të jetë minimal, me 4 ose 5 raste për trajtim me rrezatim special siç është Gama ose Cyber knife. Motivi më i madh në punë është trajtimi i mirë i pacientëve me kancer, dhe vullneti i pashoq dhe përkushtimi maksimal i stafit të Klinikës, veçanërisht atij infermieror që pacientët me kancer të kenë një shërbim sa më cilësor dhe profesional”, ka përfunduar Kurtishi./21Media

Back to top button