Rreth 400 vjedhje çdo muaj në Kosovë
Për gjashtë muajt e parë të vitit, Policia e Kosovës ka evidentuar mbi dy mijë raste të vjedhjeve, të cilat kanë ndodhur në pronat e qytetarëve, qofshin ato në shtëpi banimi, dyqane apo vetura.
Policia e Kosovës për portalin rtv21.tv ka thënë se për periudhën kohore janar – qershor kanë ndodhur 2 mijë e 94 vjedhje.
Në bazë të dhënave që ka siguruar portali rtv21.tv, i bie se për çdo muaj ndodhin rreth 400 vjedhje në Kosovë.
Vetëm gjatë muajve maj-qershor kanë ndodhur hiç më pak se 785 vjedhje.

Megjithatë, Policia për portalin rtv21.tv ka thënë se krahasuar me periudhen e njëjtë të vitit të kaluar ka rënie të vjedhjeve.
“Për periudhën kohore Janar- Qershor 2021 krahasuar me te njëjtën periudhe të vitit 2022, ku sipas statistikave vërehet një rënie e veprave të tilla penale gjatë periudhës gjashtëmujore”, ka thënë Policia.
Sipas Kodit Penal të Republikës se Kosovës, vjedhje klasifikohet vepra kur një personi tjetër i merret pasuria, e cila vlerësohet në shumën prej pesëdhjetë eurosh e më shumë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër.
Personat që kryejnë vjedhje apo grabitje me përdorim të forcës apo kanosje serioze për personin tjetër, me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme, dënohen me burgim nga 3 deri në 12 vjet./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?