Rreth dy milionë investime të BE-së në Zveçan

Apostolova tha se përmirësimi i kushteve të jetës është prioritet i BE-së

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova ka qëndruar sot në Zvecan ku ka vizituar projektet që BE-ja ka financuar në këtë komunë e që gjithsej kushtojnë 2.85 milionë euro.

Me këtë rast ajo tha se ndihet mirë se ka inauguruar katër projektet me çështje jetike për qytetarët e Zveçanit. “Përmirësimi i strukturës së ujit dhe kanalizimit është një parakusht kryesor për çdo zhvillim socio-ekonomik në një komunë. Investimi në sistemin e ujit dhe kanalizimit po i bëjnë më të mira kushtet e jetesës së njerëzve të cilët jetojnë në qendër të Zveçanit. Shkolla dhe qendra e shëndetit kanë ujë të cilësisë më të mirë me presion të rritur. Komuna gjithashtu ka ofruar mundësinë për zgjerim të kësaj marrëveshje. Një rezultat i rëndësishëm i dy projekteve është përgatitja i kadastrës nëntokësore e cila do ta ndihmojnë komunën në strukturën e sistemit të ujit dhe kanalizimit dhe dua të uroj kryetarin dhe ekipin e tij sepse kjo është përvoja e parë të cilën ne po e përkrahim në Kosovë. Jam e lumtur veçanërisht për renovimin e një prej shkollave më të vjetra në Zveçan”, tha Apostolova.

Apostolova tha se përveç atyre që u përmendën më lart Bashkimi Evropian ka ndarë 1.7 milionë euro për sallën e Sporteve në këtë komunë e që sipas saj kjo është bërë për ta përkrahur arsimin dhe sportin për fëmijët dhe njerëzit në Zveçan.

“Përmes këtyre projekteve, BE dëshiron të krijojë vende të reja të punës, arsimim më të mirë, standarde të përmirësuara të jetesës për qytetarët e komunës.”, tha Apostolova.

Vuçina Jankoviq, kryetar i komunës së Zveçanit, ka thënë se përfundimi i projekteve të financuara nga ana e Bashkimit Evropian paraqet njëherësh edhe punën e suksesshme të komunës që ai drejton në krijimin e kushteve sa më të mira për jetën e qytetarëve. “Është shumë e rëndësishme që këto projekte kanë përfunduar me sukses, e cila neve na kualifikon që serish të dalim me projekte të reja dhe t’iu krijojmë kushte më të mira për qytetarët tanë. Ashtu siç është e planifikuar me dokumente strategjike, sistemi i ujësjellësit do të lidhë rrugët e qytetit, në të cilat do të kyçet amvisëria, Shtëpia e shëndetit dhe objektet tjera qendrore”, ka thënë Jankoviq. Ai ka thënë se me projektin e ri të ujësjellësit do të ketë furnizim më të mirë për ujë të pijes.

Bashkimi Evropian është duke financuar sallën sportive në fshatin Zhitkovc, shkollën fillore “Vuk Karaxhiq”, projektin për ndërtimin e sistemit për trajtimin e ujërave të zeza, pranë shkollës “Vuk Karaxhiq” dhe projektin e ujësjellësit, pranë ujëmbledhësit në Zveçan.

Back to top button