Rrezikimi i partneritetit të Kosovës me SHBA-në për shkak të dinarit, kritikohet Qeveria

Vendimi i Kosovës për heqjen e dinarit nga përdorimi dhe mosdëgjimi i kërkesës për tërheqjen e këtij vendimi duket se po vë në rrezik partneritetin e Kosovës me SHBA-në. Anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, kritikon qeverinë për qasje të gabueshme, e cila, sipas tij, ndikoi në partneritetin me aleatët strategjikë.

“Përfaqësues të institucioneve tona, duke u nisur nga kryeministri Kurti e të tjerët, thonë se raportet me SHBA-në janë të mira. Ndërkaq përfaqësuesit e shtetit më përkrahës për Kosovën u detyruan të thonë se marrëdhëniet, cilësia e raporteve mes dy Qeverive është lënduar, është më e keqe. Marrëdhëniet janë lënduar, me kë? Me SHBA-në. Gjendja është e keqe”., thotë Hamiti për rtv21

Për analisten politike, Alma Lama, vendimi për heqjen e dinarit ishte i shpejtë dhe jo mirë i menduar. Për këtë arsye, siç thotë ajo, asnjëherë Kosova nuk i ka pasur marrëdhëniet kaq të lënduara me aleatët.

“Kosova nuk ka pasur nevojë të vij në këtë pikë. Ka qenë gabim nga ana e Qeverisë dhe bankës që nuk janë konsultuar. Është dashur të konsultohet paraprakisht dhe më pas të kalonte në implementimin e saj. Ky vendim ka pasoja edhe në siguri. Qeveria mendoj se reagon në këtë mënyrë për të joshur elektoratin”.

Ndërsa analisti politik, Arton Demhasaj, thotë se dëmtimi i partneritetit me SHBA-në nuk i shërben të ardhmes së Kosovës. Sipas tij, qeveria duhet të reflektojë në këtë drejtim.

SHBA-ja ka shprehur shqetësimin se Qeveria e Kosovës po vepron njëanshëm dhe duke mos iu përgjigjur kërkesave të saj.

Vendimi për heqjen e dinarit në Kosovë përmes rregullores së BQK-së hyri në fuqi më 1 shkurt. /RTV21/21Media

Back to top button