Rreziku nga pickimi i rriqrave, IKShPK del me rekomandime

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK) ka dalë me disa rekomandime, pasi që me ngritjen e temperaturave rritet edhe mundësia e pickimit nga rriqrat, te cilat janë bartëse të virusit që i shkakton Ethet Hemorragjike.

IKShPK ka bërë të ditur se që nga viti 2013 nuk është regjistruar asnjë rast fatal pasi janë realizuar me sukses masat profilaktike dhe kundër epidemike, shkruan rtv21.tv.

“Pavarësisht faktit se që nga viti 2013 nuk është shënuar asnjë rast fatal me EHKK pasi janë realizuar me sukses masat profilaktike dhe kundër epidemike, institucionet e tre niveleve të kujdesit shëndetësor duhet të bëjnë me kohë përgatitjet me që bëhet fjalë për një sëmundje endemike, por edhe vdekjeprurëse”, ka shkruar IKShPK në “Facebook”.

Tutje, IKShPK u bënë apel qytetarëve që të kenë kujdes nga pickimet e rriqrave edhe pse rreziku nga ethet hemorragjike është më i vogël se vitet e kaluara.

“Edhe pse rreziku nga ethet hemorragjike është më i vogël se vitet e kaluara, qytetarëve u bëhet thirrje që të kenë kujdes nga pickimet e rriqrave, sidomos në zonat Malishevë, Rahovec, Suharekë dhe Klinë, por edhe në zonat e tjera, pasi që temperaturat kanë filluar të ngrihen dhe rriqrat dalin në sipërfaqe të tokës”, thuhet në njoftim.

IKShPK bënë të ditur se laboratorët janë të përgatitura dhe të gatshme për diagnostikimin e të gjitha rasteve të dyshimta në EHKK.

IKShPK qytetarëve u rekomandon, të mos qëndrojnë pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre, nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende, të vishen me rroba të gjata dhe pantallonat të futen në çorapë, të lyejnë pjesët e trupit, sidomos pjesët e zbuluara si shuplakat dhe qafën me preparate të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut, të kontrollojnë trupin pas qëndrimit në vatra endemike si dhe pas kthimit nga punët në fusha/livadhe, ara apo vendet me shkurre, nëse u ngjitet ndonjë rriqër në trup, të shkojnë sa më parë në qendrën më të afërt mjekësore për heqjen e saj dhe marrjen e ndihmës shëndetësore, të kositet në vazhdimësi bari në oborre e livadhe, të bëhet dezinsektimi selektiv i hapësirave në vendet endemike (shkurret, kaçubat, djerrinat dhe livadhet e pakositura të lëna djerrë), të bëhet pastrimi dhe dezinfektimi i stallave në vazhdimësi dhe të mbahet higjiena personale në nivelin më të lartë.

“Personat e pickuar nga rriqrat duhet të trajtohen në qendrat e Mjekësisë familjare në komunat përkatëse, ndërsa sipas nevojës, ata referohen për trajtime në repartet infektive të spitaleve të përgjithshme dhe në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.Trajtimi i Etheve Hemorrgajike bëhet përmes terapisë mbështetëse, me antiviral si Ribavirina dhe imunoterapi pasive”, ka përfunduar IKShPK./21Media

Back to top button