Rrëzimi i kulmit të Komunës së Prishtinës: Gjykata e aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë për dy të akuzuarit

Bekim Baftijaraj dhe Ylber Jashari, të akuzuar për rastin e rrëzimit të kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës, më 18.01.2024, ku mbeti e lënduar rëndë një kalimtare rasti, kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë, duke u dakorduar që t’i kompensojnë 36 mijë euro në kompensim të dëmit material që Prokuroria pretendon se është shkaktuar nga veprimet e të akuzuarve.
Vendimi u mor nga Gjykata e Prishtinës të enjten, më 06.02.2025. Shpallja e Aktgjykimit pritet të bëhet në ora 14:00, po të enjten.
Kurse lidhur me dënimin, sipas marrëveshjes për pranimin e fajësisë, të akuzuarit dhe Prokurori i Shtetit janë dakorduar që për Ylber Jasharin dënimi i propozuar për Gjykatën është 5 mijë deri në 7 mijë euro dënim me gjobë, kurse 1 vjet dënim me burgim me kusht.
Ndërkaq për të akuzuarin tjetër Bekim Baftijaraj është arritur pajtimi që të shqiptohet dënimi me burgim prej 6 muaj, me kusht me mundësinë që t’i zëvendësohet me dënim me gjobë prej 3,500 euro deri në 4,500 euro.
Personi përgjegjës i Kompanisë punëkryese, Bekim Baftijaraj akuzohet për veprën penale “punime ndërtimore të kundërligjshme”, Neni 360, Paragrafi 3. Paragrafi 3 i këtij Neni e specifikon se në rastet kur një person ka pësuar lëndime të rënda apo është shkaktuar një dëm i konsideruar nga punimet ndërtimore të kundërligjshme, personi i akuzuar mund të dënohet me burgim nga 1 vjet deri në 8 vjet.
I akuzuari tjetër për këtë rast është Ylber Jashari, zyrtar komunal, për veprën penale: “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Këtë rast është duke e gjykuar Gëzim Ademi, gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, kurse për ta përfaqësuar Prokurorinë është prezent prokurori Kujtim Munishi. /kallxo.com