Rriten pensionet, rritja implementohet nga 1 janari 2019

Kjo rritje hyn në fuqi nga miratimi i buxhetit

Në mbledhjen e rregullt të Qeverisë të kryesuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është miratuar shqyrtimi i propozim-vendimit për rritjen e pensioneve.

Pensionet bazike rriten për 20%, pensionet kontributdhënëse 15%, pensionet e parakohshme të Trepçës 20%.

Ministri i financave, Bedri Hamza tha se kjo rritje hyn në fuqi nga miratimi i buxhetit dhe se këto mjete financiare për këtë rritje implementohen nga 1 janari 2019.

Pensionistët do t’i marrin pensionet me rritje në mënyrë retroaktive pas aprovimit të buxhetit 2019.

Kurse, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica tha se ky është vendim i rëndësishëm dhe se me aprovimin e këtij vendimi përmisohet mirëqenia e pensionistëve.

Numri i përgjithshëm i pensionistëve në vend është rreth 170 mijë, prej tyre 125 mijë janë shfrytëzues të pensionit të pleqërisë, ndërsa 45 mijë janë kontribut-pagues, që ndahen në katër kategori, të cilët marrin pensionet në bazë të përgatitjes së shkollimit.

Sipas një përllogaritje, i bie se pensionet e pleqërisë, ata që marrin aktualisht nga 75 euro, me buxhetin e ri do të marrin 90 euro. Ndërsa, pensionistët kontribut- pagues nga shuma prej 230 eurove do të marrin 34 euro më shumë në muaj.

Pensioni bazik i moshës u paguhet të gjithë personave që janë shtetas të përhershëm të Republikës së Kosovës, të cilët posedojnë dokumentet e identifikimit dhe të cilët kanë mbushur moshën gjashtëdhjetë e pesë (65) vjeçare. Ndërsa, pensioni kontributpagues i moshës është pensioni i rregulltë mujor për qytetarët e punësuar në Republikës e Kosovës, të cilët i kanë paguar kontributet, në ish Fondin Pnesional të Kosovës para datës 01.01.1999./21Media

Back to top button