Rritet numri i lëmoshëkërkuesëve në Kosovë

“Sa të kushton zemra, për idare e kam! Zoti ta rujt familjen!”, janë thirrjet që shpesh dëgjohen në rrugët e qyteteve të Kosovës nga burra, gra e fëmijë që shtrijne dorën për lëmoshë.
Në çdo stinë, ata kërkojnë para ose shesin gjëra të vogla ushqimore. Disa prej tyre qëndrojnë afër semaforëve dhe u afrohen makinave për t’i pastruar xhamat dhe për të kërkuar ndonjë cent.
Policia e Kosovës për portalin rtv21.tv ka bërë të ditur se janë identifikuar rreth 432 kërkues lëmoshe për një vit e gjysmë.
“Gjatë vitit 2020 janë identifikuar 236 lëmoshë-kërkues. Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2021 janë evidentuar gjithsej 196 persona kërkues lëmoshe”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Krahasuar me të kaluarën, Policia për rtv21.tv ka thënë se tani ka më shumë persona që kërkojnë lëmoshë. E numri më i madh i lëmoshëkërkuesëve është i koncentruar në qytetin e Prishtinës dhe Prizrenit. Personat lypësarë sipas policisë janë të komunitetit: shqiptar, rom, ashkali dhe egjiptian.
Gjatë vitit të kaluar janë identifikuar me dhjetëra raste ku fëmijët janë detyruar që të kërkojnë lëmoshë në rrugë.
“Në total janë identifikuar 107 lëmoshëkërkues, prej tyre 47 të rritur, ndërsa 60 fëmijë, nga Shqipëria kanë qenë 64, ndërsa nga Kosova 43. Një (1) rast ka qenë Trafikim me njerëz me 2 viktima dhe 1 i dyshuar, ndërsa 27 raste kanë qenë për veprën penale “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës” ku të dyshuar kanë qenë prindërit”, ka deklaruar Policia duke theksuar se shtetasit nga Shqipëria janë referuar në drejtorinë për megrim dhe të huaj(DMH) për trajtim sipas ligjit për të huaj.
Problemi me lëmoshëkërkuesit po vazhdon të mbetet kompleks në Kosovë edhe përkundër aksioneve që po ndërmerren nga Policia.
Para 5 ditësh, stacioni policor në Prizren, pas një realizimi të planit operativ për identifikimin dhe parandalimin e personave të cilët bredhin rrugëve të Prizrenit duke kërkuar lëmoshë, ka ndaluar gjithsej 8 persona të moshave të ndryshme duke përfshirë burra, gra dhe fëmijë të komunitetit romë nga Republika e Shqipërisë të cilët janë hasur duke kërkuar lëmoshë në qytetin e Prizrenit. Të njëjtit janë depërtuar në Republikën e Shqipërisë të cilët janë pranuar nga autoritetet atje.
“Edhe përkundër faktit se janë ndërmarr veprime të nevojshme në largimin e këtyre personave nga rruga problemi i kërkim lëmoshës ende është prezent por edhe kompleks. Policia e Kosovës e ka dhe po e trajton këtë dukuri në bashkëpunim me akterë tjerë institucional, por edhe në të ardhmen në vazhdimesi do të merren veprime ligjore me qëllim të parandalimit apo të reduktimit të kësaj dukurie”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017. Këto të dhëna tregojnë se mbi 23% e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri. Sipas këtyre të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18% e popullatës në Kosovë jeton në varfëri me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5% e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë./21Media 

Back to top button