Rritja e çmimeve të karburanteve, ekonomistët thonë se organet kompetente duhet të investigojnë bizneset

Çmimet e karburanteve në Kosovë kanë pësuar rritje që nga 24 shkurti, kur ka filluar lufta Rusi-Ukrainë. Pasojat e kësaj lufte po përfshijnë ekonomikisht shumë shtete, e posaqërisht edhe Kosovën, e cila nuk ka rafineri dhe karburantet duhet t’i importojë nga jashtë.
Lidhur me këtë çështje, profesori i Ekonomisë, Nazmi Zeqiri ka deklaruar për rtv21.tv se lufta Rusi-Ukrainë ka ndikuar që në dy javët e fundit të kemi rritje enorme të çmimeve të karburantit në vendin tonë, e cila në masë të madhe është ndikuar nga çmimet e berzës.
Sipas Zeqirit, kjo vjen natyrshëm, sepse Rusia dhe Ukraina kanë pjesëmarrje të madhe në tregun energjisë në botë.
“Qeveria deri me tani nuk ka marrë asnjë masë, vendimi për kufizim të marzhës nuk pati ndonjë efekt dhe ngritja e çmimeve natyrisht se ka vështirësuar jetën e qytetarëve. Masa për heqjen e akcizës për bujqit është diçka e mirë, por nuk dihet se kur do të filloj implementimi, pritjet janë që qeveria të heqë akcizën për karburantet për një periudhë të caktuar kohore derisa tregjet të stabilizohen. Sot, nuk janë vetëm bujqit në pozitë të vështirë, janë të gjithë. Qeveria duhet të mësoj nga të tjerët, Kroacia, Maqedonia etj.”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj ka deklaruar se nëse vepron mekanzmi i shtetit, së paku mund të kontrollohet çmimi në të gjitha produktet.
“Situata e krizës së konfliktit Ukrainë-Rusi do të diktojë tregun global padyshim, por nëse vepron mekanzmi i shtetit, së paku mund të kontrollohet çmimi në të gjitha produktet. Uroj të mos ketë rritje të çmimeve, sepse tani kur flasim është rënduar jeta e qytetarit, por situata e konflitit Ukrainë-Rusi do ta diktojë padyshim.”, ka bërë të ditur Kadriaj për rtv21.tv
Se deri kur pritet të stabilizohen çmimet e karburanteve, profesori Zeqiri është shprehur se është vështirë të parashikohet koha, sepse sipas tij, kjo shumë varet nga faktorët e jashtëm.
“Ne e dimë që Rusia dhe Ukraina marrin pjesë me 1/4 e eksportit të drithërave në botë. Tani lufta natyrshëm prodhon pasoja, sanksionet ndaj mallrave të Rusisë gjithashtu, por Qeveria duhet të jetë aktive e proaktive me masa ekonomike, me politika fiskale që të ju gjendet qytetarëve në këto ditë të vështira. E patë mbrëmë Qeveria e Maqedonisë 26 masa, 400 milionë euro. Nëse Qeveria jonë nuk i ka 400 milionë euro, mund t’i ketë 200 milionë euro.”, ka deklaruar Zeqiri për rtv21.tv
Ai ka shtuar se tani, në këto momente të vështira dora e shtetit duhet të jetë e dukshme.
“Qeveria duhet të jetë me aktive përmes inspektortit dhe Doganës, të shihet me çfarë çimeve po importohen mallrat, a janë duke abuzu firmat përmes pozitave dominuse që kanë në sektor të caktuar. Ngritja enome e çmimit të vajt duhet të shihet nga se është shkaktuar, deri me tani nuk kemi pa asnjë veprim të insetoratit. Për shkak të krizës që po kalon vendi, disa mekanizma të ekonomisë së tregut mund edhe të suspendohen përkohësisht.”, ka bërë të ditur ai, duke shtuar se duhet që pozitë e opozitë të punojnë bashkë po që se është nevoja.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj ka theksuar se çmimi i naftës në vendin tonë është shumë i lartë dhe jo real.
“Çmimi i naftës nuk ka vend për mëdyshje për faktin që është shumë i lartë dhe jo real. Pra, një rritje artificiale, ku biznese të papërgjegjshme shrytëzojnë momentumin dhe bëjnë panik te konsumatori.”, ka shtuar ai, duke iu bërë thirrje që organet kompetente të jenë vigjilente që të investigojnë këtë kategori të bizneseve.
Se çmimi i naftës ëshë i lartë e ka pohuar edhe profesori Zeqiri, i cili ka potencuar se heqja e akcizës do të ndikonte në uljen e çmimit.
“Çmimi i naftë është shumë i lartë, qeveria ta konsiderojë heqjen e akcizës për një periudhë të caktuar, heqja e akcizës e ulë edhe TVSH-në dhe kjo masë kish me ndiku në ulje të dukshme të çmimit”, ka shtuar Zeqiri.
Rtv21.tv ka kontaktuar kryetarin e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, por ai nuk është përgjigjur.
Ndryshe, një rënie e çmimit të karburanteve është shënuar gjatë ditës së sotme. Rreth mesditës një litër naftë ka kushtuar 1 euro e 66 centë, ndërsa benzina 1 euro e 67 centë, por këto çmime, ndërkohë, mund të kenë ndryshuar.
Kosova furnizohet me karburante më së shumti nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Greqia./21Media

Back to top button