“Rritja e numrit të këshilltarëve, abuzim me buxhetin e Kosovës”

Rritja masive e numrit të këshilltarëve të kryeministrit dhe zv-kryeministrave sipas GLPS-së minon reformën në administratën publike

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar ndaj nxjerrjes së Rregullores 30/2018 përmes së cilës Qeveria rrit  numrin e këshilltarëve politik për kryeministrin dhe zëvëndës-kryeministrat. Një vendim i tillë i Qeverisë, sipas GLPS-së është abuzim me pushtetin publik dhe mirëbesimin që ajo duhet të reflektojë ndaj kompetencave që ushtron.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike, vlerëson se rritja e numrit të këshilltarëve politik për kryeministrin në 24 dhe për zëvendës-kryeministrat deri në 11, përbën minim të reformës së administratës publike dhe abuzim të pastër të buxhetit të Kosovës.

“Në skenarin aktual, me një qeveri që ka 5 zëvëndës-kryeministra, numri total i këshilltarëve të brendshëm të Zyrës së Kryeministrit dhe zv-kryeministrave shkon në 65 këshilltar politik. Asnjë arsye objektive nuk mund të arsyetoj një numër kaq të madh këshilltarësh politik për krerët e Qeverisë, dhe çdo përpjekje për të gjetur një arsye për këtë rritje galopante nuk mund të duket ndryshe pos e dhimbshme”, bën të ditur GLPS.

Një rritje e tillë e numrit të këshilltarëve politik, sipas GLPS-së nuk mund të arsyetohet ndryshe pos me qëllimet klienteleske të Qeverisë, dhe të anëtarëve të saj.

“Si mund që në mesin e reformës së administratës publike të dizajnuar nga Bashkimi Evropian, kur duhej pritur që përmes një ligji për qeverinë të zvogëlohej dukshëm numri i anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe i degëve klienteleske të tyre, Qeveria të ndërmarri një vendim të tillë? Prandaj, vendimi i Qeverisë është tregues që ajo nuk ka as përkushtimin minimal të zvogëlimit të administratës shtetërore, rritjes së efektivitetit dhe efiçiencës së saj, dhe ngritjes së llogaridhënies për të. Natyrisht që një vendim i tillë veçse kontribuon tutje në rrënimin e imazhit të Kosovës pranë Komisionit Evropian, i cili me ngulm që shumë vite ka dizajnuar dhe shtyer një reformë të administratës publike që duhej të kishte për qëllim zvogëlimin e aparatit administrativ dhe kursimin e parasë publike”, bëhet e ditur në reagimin e GLPS-së.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike i kërkon Qeverisë së Kosovës të anulojë Rregulloren nr. 30/2018, përmes së cilës realizohet një rritje e tillë.

Gjithashtu, GLPS u kërkon deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos pranojnë një rritje të tillë në Ligjin për Buxhetin 2019 (leximin e dytë).

“Një ndalim të tillë mund ta bëjnë përmes përcaktimit të saktë të shumës maksimale që linja buxhetore për këshilltarët e Zyrës së Kryeministrit është e autorizuar të ketë. Për më tepër, i bëjmë thirrje anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës që për një veprim të tillë të organizojnë një dëgjim publik, dhe të inicojnë zyrtarisht ndryshimin në ligjin për buxhetin 2019 që do të parandalonte një rritje të tillë të numrit të këshilltarëve politik”, thekson më tutje GLPS./21Media

Back to top button