Rritja e pagës minimale dhe efektet e saj

Rritja e pagës minimale në vlerë prej 264 eurove, është pritur me ktitika jo të pakta. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se para se të sillej ligji në Kuvend është dashur të bëhej një vlerësim se si do të  ndikojë ritja e kësaj page tek bizneset e vogla.

“Ne edhe më herët e kemi ngrit zërin që bizneset e vogla të ndihmohen në një periudhë të caktuar kohore, derisa të stabilizohen pak. Duhet me qenë shumë të kujdesshëm, në momentin që fillon të implementohet ligji që mos të dëmtohen asnjë biznes, duke përfshirë edhe ato biznese që sapo kanë filluar punën. Duhet të përgatitet një paketë e masave fiskale, sidomos tek subvencionimi i qirasë për një periudhë të caktuar kohore ose subvencionimi i fuqisë punëtore, aty ku hasen në vështirësi, me pas ndihma në forma të ndryshme, në zbutjen e interesave”, tha Rafuna.

Edhe njohësi i ekonomisë, Besnik Avdija, kërkon nga Qeveria që të ketë kujdes sepse, sipas tij, do të t’i dëmtojë bizneset e vogla.

“Këto biznese, do të dëmtohen në masë të madhe, për shkak se ato fillimisht duhet të mbushin obligimet ndaj punëtorëve, pastaj të krijojnë profitin e tyre. Në mënyrë që të bëhet kjo zgjidhje, duhet t’i rrisin çmimet e shërbimeve dhe produkteve që nuk mund të jenë konkurrent në treg, pastaj tregu gradualisht i detyron që ata t’ia vendosin drynin ndërmarrjes tyre”, tha Avdija.

Njohësi tjetër i ekonomisë, Visar Vokrri, vë në pah rritjen e informalitet pikërisht për shkak të rritjes së pagës minimale.

“Kemi pas një numër të bizneseve që kanë deklaruar ndoshta pagën e punëtorëve deri në nivel të pagës minimale, ndërsa pjesën tjetër ua kanë kompensuar përmes kanaleve joformale. Pra, në këtë kontekst konsideroj se qeveria tani duhet të jetë më e kujdesshme dhe të fokusohet në masat që kanë për qëllim uljen e informalitetit. Pra, në rritjen e kapaciteteve të inspektoratit të punës, në mënyrë që kësisoj të parandalojë rritjen e mëtutjeshme të informalietit si rezultat i rritjes së pagës minimale”, deklaroi Vokrri.

Javën që shkoi, me votat e partisë në pushtet Kuvendi miratoi Ligjin për pagën minimale, në vlerë prej 264 euro. Përveç nga opozita ligji hasi në kundërshtim të veteranëve të luftës, për shkak se nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën. Për këtë arsye veteranët kanë paralajmëruar protesta para Kuvendit edhe të mërkurën e javës që vjen./21Media 

Back to top button