Rritja ekonomike sipas Kurtit dhe parashikimet e Bankës Qendrore të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova ka pasur përparim dhe progres gjatë qeverisjes së tij dhe me këtë rast ka përmendur se rritja ekonomike në Kosovës është 6.2 për qind. Megjithatë, sipas tij, kjo normë e rritjes është mesatarja e këtyre tri viteve të fundit.

Megjithatë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili sa i përket rritjes ekonomike për vitin 2023, ka thënë se kjo normë ka qenë 3.3 për qind, i cili po ashtu parasheh që për vitin 2024 kjo normë të jetë rreth 3.9 për qind.

Kurti për trendët ekonomike ka folur në konferencën e Federatës së Paqes Universale, ku po diskutohet për “Paqen, stabiliteti dhe tranzicioni demografik në Ballkanin Perëndimor”.

“Kosova ka njohur përparim dhe progres si kurrë më parë në këto tri vitet e fundit, rritja mesatare ekonomike është në nivelin 6.2 për qind. Ekonomia e vendit e përkatësisht Bruto Produktit Vendor sot që po flasim është gjashtë fish më i madh se sa në vitin 2000. Nuk po e marrim parasysh vitin ‘99 e të luftës të kthimit të refugjatëve në shtëpitë e tyre dhe tri herë më i madh se sa në vitin 2008 kur e shpallëm Pavarësinë. Eksportet e investimet e huaja janë dyfishuar dhe raporti eksport import krahasuar me vitin 2021 është përmirësuar në më mirë se 1 me 6 nga 1 me 9 sa ishte aso kohe. Kemi një rritje të punësimit prej mbi 21 për qind”, theksoi Kurti.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili ka thënë ditë më parë për KosovaPress se ekonomia ka pas një rritje prej 3.3 për qind për vitin 2023.

“Ekonomia ka pas një rritje prej 3.3 për qind për vitin 2023, pa marrë parasysh ende publikimin e ri që ka bërë ASK-ja. Pritjet tona janë që ekonomia të rritet për këtë vit me rreth 3.9 për qind, përsëri subjekt i rishikimit nga të dhënat e fundit që ka vendosur ASK-ja, sepse kjo ndikon edhe në projeksionin tone”, thekson guvernatori i BQK-së, Ismaili.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami kishte thënë ditë më parë se qeveria Kurti për më shumë se 3 vite vetëm ka manipuluar me shifra.

“Kosova është vendi më i varfër në Evropë, përpos Ukrainës që është që dy vjet në luftë. Kosova është nën sanksione, rrezikon të largohet nga Procesi i Berlinit. Prej vitit 2021, gjatë kësaj qeverisjeje janë rritur çmimet për 22%. Inflacioni ka ra, por nuk kanë rënë çmimet. Qeveria po manipulon e me shifra. Kjo është gënjeshtra e radhës e tyre”, ka thënë Bajrami.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, njëherësh deputet të VV-së, Armend Muja shprehet optimist opër rritjen ekonomike të Kosovës, duke parashikuar se ajo do të jetë rreth 5 për qind, përkundër prognozës së Bankës Qendrore prej 3.9 për qind.

“Rritja ekonomike e këtij viti është parashikuar nga Banka Qendrore të jetë 3.9 për qind, megjithatë këto projeksione në dy, tre mujorët e parë janë tejkaluar dhe rritja ekonomike në tre mujorin e parë dhe tre mujorin dytë që është gjashtë muajt e parë është pesë për qind, që është përtej projeksioneve, dhe besoj se është më e mundshme të presim që konsideruar edhe faktin se vera, ky tremujor, por edhe tre mujori i fundit zakonisht në Kosovë kanë performancë më të mirë, unë nuk parashoh se rritja ekonomike të jetë nën 5 për qind”, thotë Muja.

Sipas Bankës Botërore në vitin 2020, Kosova pati një rritje ekonomike minus 5.3 për qind (Covid-19), në vitin 2021 ishte 10.5 për qind (Pas lirimit nga pandemia), më 2022 ishte 3. 1 për qind, dhe në vitin 2023 sipas BQK-së ishte 3.3 për qind.

Back to top button