Rruga “nutella” në Çair

 

 

Fëmijët e lagjes Dizhon të Çairit, rrugën në të cilën lozin e quajnë “Rruga nutella”, e kjo për shkak të rrugës së paasfaltuar e cila është përplot me baltë.

Në këtë rrugë jeton edhe gjyshi Imer Kurtishi i cili është 100 vjeçar. Atë e takuam duke shkuar në xhami.

“Çorapet nuk mund t’i veshi në shtëpi, por në xhami i veshi, se mund t’i bëj me baltë tepihat në xhami”, tha Imer Kurtishi – banor.

Por edhe veturën mezi e vozit në këtë rrugë.

“Qe krejt baltë jemi, krejt hymë në oborr me baltë. Çdo orë lahemi. Edhe ujë nuk kemi, por me këtë baltë edhe më keq. Ishallah përmirësohet gjendja”, shtoi Kurtishi.

Sfidë e vërtetë është për prindërit të cilët duhet t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë. Ridvan Asanin e takuam me birin e tij Ebibin të cilin e dërgonte në çerdhe.

“Balta po na hy nëpër shtëpia. Ka një vit që e kanë hapur dhe e kanë lënë kështu dhe katastrofë është rruga. Për fëmijët e juaj? Fëmijët duhet t’i kapim të krah t’i dërgojmë deri te vetura mos të përlyhen për në çerdhe”, tha Ridvan Asani – banor.

Përveç rrugës, problem që i tangon këta banor është edhe uji të cilin shpeshherë ua ndalin.

“Rruga siç e shihni edhe vet, krejt baltë. As tampon nuk ka të shtuar. Kur bie shi jemi në hall. Krejt balta hyn në oborret tona dhe bëhet viran”, tha Mahmut Sejdiu – banor.

Nga Komuna e Çairit thonë se e kanë përpiluar projektin e asfaltimit të rrugës 13 në lagjen Dizhon dhe ka përzgjedhur operatorin ekonomik që do të realizojë procesin e punës.

“Presim që NP “Ujësjellësi dhe kanalizimet” të përfundojnë kyçjen e amvisërive në rrjetin e ri të ujësjellësit që të mund të realizojmë asfaltimin e tërësishëm të kësaj rruge”, thonë nga Komuna Çair.

Nga NP Ujësjellësi dhe Kanalizimi premtuan se për kohë të shkurtë do ta bëjnë kyçjen në rrjetin e ri të ujësjellësit./TV21

Back to top button