Rrugët në Prishtinë dhe periferi janë të qarkullueshme

Të gjitha rrugët në Prishtinë dhe periferi janë të qarkullueshme. Kështu njofton Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi për media.
Për këtë, sipas tyre, po kujdesen 11 kompani të kontraktuara që në nëntor të vitit të kaluar, ku 7 prej tyre janë të angazhuar në rrugët e qytetit, ndërsa katër të tjera për rrugët periferike.
“Tani në momentin kur po deklarojmë, rrugët janë të qarkullueshme për trafik. Vlen të theksohet se puna e kompanive në terren gjatë tërë kohës është mbikëqyrë dhe është koordinuar nga zyrtarët e drejtorisë. Gjendja e rrugëve në përgjithësi është stabile dhe lehtë e qarkullueshme”, thuhet në komunikatën e Komunës së Prishtinës.
Komuna thotë se kompanitë e kontraktuara kanë qenë në terren me 27 makineri përkatëse që kur janë shfaqur reshjet në orët e para të së hënës dhe kanë vazhduar edhe sot me pastrimin e rrugëve.
“Kompanitë ashtu siç kanë qenë në punë gjatë ditës kanë vazhduar punën në teren pa ndërprerë, ku kanë qenë 27 automjete të borës të cilat largojnë borën dhe hedhin përzierjen e kripës dhe rërës”, vijon komunikata.
Megjithatë, Komuna e Prishtinës kërkon nga drejtuesit e mjeteve të jenë të përgatitur për stinën e dimrit dhe mos ta bartin fajin vetëm tek ata për gjendjen e rrugëve./21Media

Back to top button