Rrugët regjionale dhe nacionale të kalueshme në Kosovë

Sipas Lekajt, kujdesi në komunikacion duhet të jetë primar

Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Pal Lekaj ka bërë të të ditur se Rrugët Nacionale dhe Regjionale në mbarë Kosovën janë të kalueshme.

Ai përmes një postimi në facebook ka kërkur që të shtohet kujdesi në komunikacion.

“Sot kemi një nga shumë ditët dimërore ku do të ketë reshje të borës dhe temperatura të ulëta (-3 deri në -10) thuajse gjatë gjithë ditës. Prandaj kujdesi në komunikacion duhet të jetë primar. Rrugët Nacionale dhe Regjionale në mbarë Kosovën janë të kalueshme, edhe përkundër reshjeve të pandërprera sidomos në rajonet malore dhe në rrugët që të dergojnë për në pikat kufitare të vendit tonë”, ka shkruar Lekaj.

Kompanitë e kontraktuara nën mbikëqyrjen e menaxherëve rajonal, sipas ministrit Lekaj janë në punë dhe të angazhuar maksimalisht që të mos ketë bllokim të rrugëve.

“Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin edhe të policisë por edhe të vetë pjesëmarrësve në komunikacion që të mundësojmë qarkullim të sigurtë për të gjithë”, ka shkruar më tutje Lekaj, duke shtuar edhe një video të gjendjes së një rruge./21Media

Back to top button