“Rrushja” e Jusuf Buxhovit, promovohet nesër në Gjakovë

Romani “Rrushja” nga Jusuf Buxhovi që doli nga shtypi para pak ditësh, nesër promovohet në Gjakovë, në orën 13, në Bibliotekën Komunale “Ibrahim “Rugova”, shkruan KultPlus.
“Rrushja” trajton plagët e luftës së fundit – dhunimet e femrave të kryera nga soldateska jugosllave, si pjesë e një koncepti morbid, që etnocidi ndaj popullatës shqiptare të përcillet edhe me “misionin e shenjtë”, të shpallur nga Kisha Ortodokse Serbe, që femrat e dhunuara shqiptare të lindin bastardët serbë!
‘Rrusha’, është njëra ndër mijëra viktima të këtij “misioni”, por e dhunuar dyfish: nga paramilitarët serbë, e dhe nga bashkëshorti i saj, i cili e vret dhe, mbas luftës, për t’i fshehur gjurmët e krimit, e shpallë “heroinë”!
Tragjedia e Rrushës, po edhe të tjerat që e përcollën atë, pasqyrohet nëpërmes rrëfimit të të birit, që si fëmijë përjetoi dramën, ku ai, po ashtu, shfaqet si viktimë e realiteteve të reja të pasluftës nga shkaku se çlirimi nuk është përkthyer në liri…
Romani u botua nga “Faik Konica”, Prishtinë dhe “Jalifat Publishing” – Houston, 2022, faqe 173.

Back to top button