Rusia bombardon një lagje banimi në Kharkiv
Një lagje rezidenciale në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, është goditur nga një sulm me raketë të hënën, njoftuan zyrtarët ukrainas.
Sipas Këshillit Bashkiak të Kharkiv, granatimet e fundit të qytetit kanë lënë të vdekur një civile femër dhe 31 të plagosur. Të plagosur janë 15 ushtarakë dhe 16 civilë, raporton CNN.
Dan Kaszeta, një specialist i mbrojtjes me bazë në Londër dhe një bashkëpunëtor në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, tha se imazhet janë në përputhje me sulmet e shumta të sistemit të lëshimit të raketave.
“Shfaqja e të paktën një imazhi të një seksioni përforcues rakete jep besim se ky ka qenë një sulm me raketë,” tha ai, përcjellë rtv21.tv
Anton Gerashchenko, një këshilltar i kreut të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, tha se “Kharkovi sapo i është nënshtruar granatimeve masive. Dhjetra viktima”. Ai e përshkroi situatën si “një makth”.
Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova, gjithashtu shkroi në Facebook për të përshkruar situatën në qytet. “Është më ferr në Kharkiv sot se sa ishte dje.”
Venediktova postoi një video që tregonte një raketë që goditi një dritare kuzhine dhe i grisi këmbën një gruaje që vdiq më vonë në spital, tha ajo./21Media