Rusia: Jemi gati për luftë

Kryediplomati i Moskës, Sergey Lavrov, ka deklaruar se Rusia nuk dëshiron një konflikt të armatosur me Ukrainën, por do të vazhdojë të ndërmarrë hapa për të mbrojtur veten.
Reagimi i ministrit të jashtëm rus vjen pasi Kievi ka përsëritur pretendimet se Kremlini mund të urdhërojë një ofensivë kundër Ukrainës.
“Rusia nuk do të dëshironte të zgjidhte rrugën e konfrontimit, megjithatë, zgjedhja varet nga partnerët tanë. Fakti që autoritetet amerikane kanë qenë mjaft të shpejta në organizimin e kontakteve të ardhshme, besoj se është një shenjë pozitive. Gjithsesi Rusia ka të gjitha aftësitë në vend për të siguruar një përgjigje të plotë ushtarake dhe teknike ndaj çdo lloj provokimi që mund të shpaloset rreth nesh”, ka thënë ai
Lavrov ka akuzuar politikanët perëndimorë se po tentojnë ta ushqejnë një gjendje agresive në Ukrainë.
Vërejtjet e kryediplomatit vijnë në mes të tensioneve në rritje në lindje të Ukrainës, me një numër zyrtarësh perëndimorë dhe media që pretendojnë se forcat ruse po ndërtohen pranë vijës së demarkacionit si një pararendës i mundshëm për nisjen e një pushtimi në shkallë të plotë të fqinjit të saj.
Kremlini i ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat, duke argumentuar se ato janë të pabaza dhe vetëm ilustrojnë një “histeri” të përhapur në shtyp.
Një deklaratë të ngjashme ku është shprehur gatishmëri për ndërmarjen e aksioneve ushtarako-teknike e ka bërë dje edhe presidenti rus, Vladimir Putin pas një takimi me Ministrinë e Mbrojtjes ruse.
Moska në vend të kësaj ka akuzuar Perëndimin për inkurajimin e zyrtarëve të Kievit për t’u përfshirë në provokime anti-ruse.
Sekretari ukrainas për mbrojtje dhe siguri kombëtare, Oleksiy Danilov, ka deklaruar se Rusia ka 122 mijë trupa në një largësi 200 kilometra nga kufiri, dhe 143.500 trupa të tjerë në një largësi prej 400 kilometrash.
Danilov kishte thënë më herët se Rusisë i nevojiten 500 deri në 600 mijë trupa në kufi për ta mbajtur situatën nën kontroll në rast të ndonjë ofenzive, duke theksuar se Federatës Ruse i nevojiten 24 orë për të mbledhur trupat e nevojshme për pushtim në kufirin ukrainës.
Konflikti në lindje të Ukrainës shpërtheu pas ngjarjeve të Maidanit të vitit 2014, kur qeveria e zgjedhur u përmbys pas protestave të dhunshme, me republikat e vetëshpallura të Lugansk dhe Donetsk që deklaruan autonominë e tyre nga Kievi.
As Rusia, as Ukraina dhe asnjë shtet tjetër anëtar i OKB-së nuk i njeh ato si kombe sovrane./21Media

Back to top button