Rusia kërkon mbledhje në OKB për bombardimet e NATO-s, reagon Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, tha se Rusia po tenton të ngrejë paralele absurde të ndërhyrjes së NATO-s për t’i dhënë fund luftërave në ish-Jugosllavi dhe luftës agresive në Ukrainë.

Gërvalla mori shkas nga kërkesa e Rusisë që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të mbajë sot një mbledhje lidhur me 25-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë, por formati i takimit e madje edhe mbajtja ose jo e tij mbetet e paqartë.

“25 vite pas, Rusia ka thirrur për sot një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke tentuar të ngrejë një paralele absurde dhe të papranueshme mes ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, e cila ndaloi fushatën gjenocidale të Serbisë, dhe luftës së saj agresive për aneksimin e territorit të Ukrainës”, shkroi zëvendëskryeministrja në një postim në Facebook.

Tutje, Gërvalla ka shkruar se “Asnjëherë nuk do rreshtim së kujtuari dhe nderuari të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Saktifica e tyre është detyrimi ynë sublim për të ndërtuar dhe forcuar Republikën e Kosovës si shtet të qytetarëve të saj”.

Back to top button