Rusia shënoi Ditën e Fitores

Me paradën e madhe ushtarake në Moskë

Me paradën e madhe ushtarake në Moskë, Rusia shënoi sot ditën e fitores kundër fashizmit. Nga Sheshi i Kuq, udhëheqësit rusë porositën se nuk ekziston asnjë fuqi në botë, e cila do të jetë në gjendje të pushtoi popullin rus

Rusia tradicionalisht shënon fitoren në Luftën e Dytë Botërore me paradën e madhe ushtarake në Moskë, shkruan rtv21.tv

Gjatë ceremonisë, Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin tha se leksionet nga e kaluara kërkojnë nga populli rus që të jetë i kujdesshëm, duke theksuar se forcat e armatosura të vendit janë në gjendje të zmbrapsin çdo sulm dhe të reagojnë ndaj çdo kërcënimi të mundshëm.

Presidenti rus gjithashtu porositi se Moska është e gatshme për bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe neo-nazizmit.
Putin më tutje tha se Rusia do të jetë gjithmonë në anën e paqes, përkrah atyre që zgjedhin rrugën e bashkëpunimit dhe të cilët kundërshtojnë luftërat.

Në Sheshin e Kuq gjatë paradës së sotme parakaluan mbi 10 mijë ushtarë, 114 njësi të forcave të këmbësorisë dhe 72 njësi të forcave ajrore të Rusisë. Parada ushtarake me rastin e 72 vjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore u zhvilluan në gjithsej 28 qytete anembanë Rusisë.

Parada e parë e Fitores u organizua në Sheshin e Kuq më 24 qershor të vitit 1945, me urdhrin e udhëheqësit të atëhershëm sovjetik, Jozef Stalinit./21Media

Back to top button