Rusia, Turqia dhe Irani nënshkruajnë një marrëveshje

Për zonat e sigurta të Sirisë këto shtete kanë nënshkruar një marrëveshje

Rusia, Irani dhe Turqia nënshkruan të enjten një marrëveshje për krijimin e katër zonave të sigurta në Siri, të cilën Kombet e Bashkuara e përshkruan si një hap premtues për të ndalur luftën e ashpër gjashtë vjeçare.

Shtetet e Bashkuara e mirëpritën një hap të tillë, mirëpo shprehën shqetësimin lidhur me rolin e Iranit si garant, edhe pse shprehën shpresën se marrëveshja mund të caktojë një etapë për një zgjidhje.

Plani për “zonat e sigurisë” u diskutua të martën nga presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe homologu i tij rus Vladimir Putin gjatë një bisede telefonike.

Marrëveshja parashikon armëpushimin, ndalimin e të gjitha fluturimeve, dërgimin e menjëhershëm të ndihmave humanitare në zonat e caktuara dhe kthimin e refugjatëve.

Qeveria siriane dhe delegacionet rebele nuk janë nënshkruese të marrëveshjes.

“Ne nuk e mbështesim këtë marrëveshje, kjo është një marrëveshje midis tre vendeve,” tha Usama Abu Zeid, një zëdhënës rebel i cili theksoi se nuk pajtohen që Irani të jetë garantues i kësaj marrëveshjeje, transmeton AFP.

Një grup pune do të caktohet brenda dy javësh për të zgjidhur çështjet teknike. Të tri vendet ranë dakord për të krijuar katër fusha sigurie deri më 4 qershor.

Zonat përfshijnë territorin kyç të mbajtur nga forcat anti Assad.

Zona e parë përfshinë të gjithë krahinën Idlib së bashku me disa pjesë të krahinave fqinje Latakia, Aleppo dhe Hama.

E dyta do të përfshijë pjesë të caktuara në veri të provincës Homs dhe e treta do të përbëhet nga disa zona të Ghouta Lindore, jashtë Damaskut.

Zona e katërt do të përfshijë pjesë të provincave Deraa dhe Quneitra në jug të Sirisë.

Që kur filloi lufta në Siri më shumë se 320 mijë njerëz janë vrarë dhe qindra mijëra të tjerë kanë lëshuar vendin. Është qenësore që kjo marrëveshje ta përmirësojë jetën e sirianëve dhe të ofrojë shpresë për fundin e një konflikti të gjatë.

Back to top button