Sa janë gjasat që filmi “Zgjoi” të nominohet për “Oscars”, flet producenti

 
“Zgjoi” me skenar e regji të Blerta Bashollit futi Kosovën për herë të parë në rrethin e ngushtë për nominim për filma të gjatë të Akademisë “Oscars”. Fituesi i trefishtë në “Sundance” dhe i shumë çmimeve të rëndësishme, është në kuadër të 15 filmave botëror që do të vazhdojnë garën drejt “Oscars 2022” në kategorinë “Best International Feature Film”.
Producenti i filmit Yll Uka, sot në emisionin “Bon Bon” të RTV21 ka treguar se si e pritën lajmin që “Zgjoi” u fut në listën e ngushtë për nominim për “Oscar 2022”.

Uka gjithashtu ka folur edhe për gjasat që filmi ka të nominohet për “Oscars”.
Ai ka thënë se gjasat janë shumë të mëdha.

Për lobimin që po i bëhet filmit, producenti ka thënë se po punon një ekip e madhe.

Ai foli edhe për mbështetjen e madhe që këngëtarja me famë botërore Dua Lipa ka dhënë për filmin.

“Zgjoi” sjell historinë e vërtetë të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal, ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.
“Zgjoi” ka për producent Yll Ukën, Valon Bajgorën dhe Agon Ukën; drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n.
Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë: Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj. “Zgjoi” është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Filmi i Bashollit, është fitues dhe i nominuar për çmime në ‘Berkshire International Film Festival’, ‘Cinedays Skopje Film Festival’, Crested Butte Film Festival’, ‘Filmsi Festival Herceg Novi – Montenegro Film Festival’, ‘Guanajuato International Film Festival’, ‘Hamburg Film Festiva’, ‘Jameson CineFest – Miskolc International Film Festival’, ‘Jerusalem Film Festival’, ‘Montpellier Mediterranean Film Festival’, ‘Nantucket Film Festival’, ‘Oda Tetova International Film Festival’, ‘Palm Springs International Film Festival’, ‘PriFest – Prishtina International Film Festival’, ‘Scottsdale International Film Festival’, ‘Stockholm Film Festival’, ‘Sundance Film Festival’, ‘Sao Paulo International Film Festival’, ‘Tiranda International Film Festival’, ‘Unabhangiges FilmFest Osnabruck’, ‘Valladolid International Film Festival’, ‘Warsaw International Film Festival’.
Më 28 tetor, në Prishtinë është dhënë premiera e këtij filmi të vlerësuar lartë, ku pjesëmarrës kanë qenë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti./21Media

Back to top button