Sa “platformë” ka në garancën e Zaevit

Zoran Zaev i garantoi presidentit Ivanov se asnjë dokument apo platformë nuk do të kushtëzoj formimin e qeverisë së re.

Deklarata u nënshkrua në emër të shumicës parlamentare një ditë para se kreu i socialdemokratëve të mandatohet nga shefi i shtetit Gjorgje Ivanov.

Garantojmë mbrojtjen e unitarizmit, sovranitetit, integritetit territorial, pavarësinë dhe multi etnitetin e Republikës së Maqedonisë;
Garantojmë mbrojtjen e rendit kushtetues dhe tërësinë territoriale të R. Maqedonisë;
Garantojmë mbrojtjen e interesave të shtetit dhe përmirësimin e jetesës së të gjithë qytetarëve pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, fetare dhe gjuhësore;
Garantojmë se procesi i sjelljes së vendimeve për qytetarët e Maqedonisë do të jetë në pajtim me parimet themelore demokratike dhe me sundimin e së drejtës pa e vënë në rrezik pozitën e R. Maqedonisë ndaj shteteve tjera, tha Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, shkruan TV21.TV

Zaevi së pari trokiti në derën e Bilall Kasamit. Kryetari i Lëvizjes Besa, tha se mund të bëhen pjesë e qeverisë vetëm nëse do të jenë partner i barabartë me palët tjera të shumicës parlamentare. Ai tha se kolltuku mund t’i luhatet edhe Talat Xhaferit.

“Pjesë e bisedimeve të ardhshme mund të jetë edhe hapja e çështjes së krye parlamentarit. Jemi marr vesh që nëse hyjnë në bisedime me Lëvizjen Besa të gjitha opsionet janë të hapura. Nëse duan që ne të jemi pjesë e shumicës parlamentare, nuk mund të ketë marrëveshje për bashkëqeverisje vetëm në ekzekutiv, por edhe në Parlament, duke filluar nga krye parlamentari”, tha Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.

Nga VMRO-DPNE thonë se tani është koha të kuptohet se kush do të zhgënjehet nga Zoran Zaev.

“A do të jenë të gënjyer liderët e partive shqiptare, të cilat publikisht kanë deklaruar se kanë marr pëlqimin e LSD-së për realizimin e elementeve nga platforma e Tiranës, ose do të jenë të gënjyer qytetarët e Republikës së Maqedonisë, të cilët dje ishin dëshmitarë për garancinë e dhënë nga Zaevi që nuk do të realizoj platforma e as deklarata të huaja”, u shpreh Darko Kostovski, VMRO-DPMNE.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se në negociatat me LSDM-në objekt bisede do të jenë kërkesat e votuesve shqiptarë dhe jo dikasteret apo funksione shtetërore. Sipas tyre, prioritetet e deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare, siç janë prokuroria speciale, ligji për gjuhën shqipe dhe zhvillimi i barabartë rajonal, janë në harmonizim edhe me ofertën programore të LSDM./21Media

Back to top button