Sa rrezikohet Kosova nga vala e të nxehtit që ka kapluar një pjesë të Evropës?

 
Ditëve të fundit disa nga vendet e Evropës janë kapluar nga vala e të nxehtit, e cila po ashtu ka shkaktuar shpërthim të zjarreve.

Sa rrezikohet Kosova nga kjo valë e të nxehtit?
Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, për portalin rtv21.tv ka thënë se edhe Kosova do të përfshihet nga masat e nxehta të ajrit,  por jo si vendet e rajonit.
“Kjo situatë si duket na favorizon me orografinë që ka vendi ynë. Flora me malet e larta që shtrihen prej veriut, kah perëndimi dhe jugu i vendit si duket po ndikojnë që te ne të kemi temperatura për 2-4 gradë më të ulëta se vendet fqinje. Megjithatë kemi edhe plot 47 ditë për të hyrë në muajin e stinës së vjeshtës dhe situata termike mund të ndryshojë.”, ka bërë të ditur Aliu.
Ai tutje ka thënë se sivjet deri më tani nuk është shënuar temperaturë më e lartë se 34 gradë Celsius, duke shtuar se këto nuk janë temperatura rekorde. Por, Aliu ka pohuar se ende ka kohë për temperaturat e larta.
Besim Aliu ka shpjeguar se rritja e temperaturave po ndodh për shkak të proceseve të pandalshme që ndodhin në atmosferë dhe ngrohjes globale si pasojë e fenomenit SERRË kemi ngritje të temperaturave në nivel global, pastaj mungesës së reshjeve, avullimeve enorme, substratit etj.
Por çfarë pasojash ka rritja e temperaturave konkretisht për vendin tonë?
Siç ka sqaruar Aliu rritja e grafikut të temperaturave në vendin tonë por edhe në planetin tokë ka pasoja të mëdha.
“Sepse përveç që ndikon negativisht në bujqësi, kjo situatë termike i atakon pothuaj gjitha shtresat e popullatës , sidomos te ata që kanë sëmundje kronike dhe te të moshuarit , shkakton neurozë te ngasësit e makinave, dhe te njerëzit që merren me punë fizike ( ndërtimtari, bujqësi etj), shkakton humbjen e sasisë së ujit në liqenet tona dhe krijon situata për reduktime enorme të ujit. Rritë indeksin e UV dhe shkakton pasoja të paparashikuara te pjesa dërmuese e popullatës.”, ka thënë Aliu.
Mijëra zjarrfikës po luftojnë me zjarret në Portugali, Spanjë dhe Francën jugperëndimore, për ta vënë nën kontroll valën e të nxehtit që nuk po jep shenja që do të lehtësohet./21Media

Back to top button