Sadiki: Dhimbja është e madhe, 20 viktima janë nga Komuna e Studeniçanit
Kreu i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki, sot në një konferencë për shtyp ka njoftuar se nga aksidenti tragjik në Bullgari jetën kanë humbur 20 banorë të kësaj komune, përcjell TV21. Sadiki ka thënë se në mesin e viktimave është një nënë me katër fëmijë, motra e saj me dy fëmijë dhe një mësuese me vajzën e saj.
“Kjo është humbje e madhe, për të gjithë ne, për të gjithë shtetin, posaçërisht nga Studeniçani. Dhimbja është e madhe. Shprehim ngushëllime. Zoti i shpërbleftë me xhenet viktimat”, ka deklaruar Sadiki.
Një autobus i kompanisë “Besa Trans” nga Shkupi, me udhëtarë kryesisht shqiptarë, sot në mëngjes është rrokullisur dhe ka marrë flakë në Bullgari, teksa ka qenë duke kthyer në vend turistë që kanë qenë për fundjavë në Stamboll të Turqisë. Në aksident, jetën e kanë humbur 46 persona dhe janë lënduar 7 të tjerë. Në mesin e viktimave janë edhe 12 fëmijë./21Media