Sadiku: Kurti gradualisht do t’i zbatojë obligimet, ose do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme

I dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar, ka thënë se nuk ka pasur sukses që ta bind kryeministrin Kurtin për ta pezulluar vendimin për dinarin. Escobar ka thënë se duhet të bëjnë diçka urgjente. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Escobar, ka thënë se ka shumë zhgënjim me Qeverinë e VV-së, sepse, sic tha, nuk është hera e parë që refuzohen sugjerimet e SHBA-së.

Takimi dy orësh i mbajtur mbrëmë midis emisarit të SHBA-së, Gabriel Escobar dhe kryeministrit Albin Kurti nuk ka sjellë rezultate konkrete për çështjen e dianrit bëri të ditur Escobar gjatë një interviste për Radio Evropën e Lirë.

Sipas tij, Kurti nuk u bindë ndaj propozimeve të tij.

“Unë i kërkova kryeministrit ta suspendojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës. Por, tani, ne duhet të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë. Unë ende jam duke shpresuar që, derisa kryenegociatorët do të takohen në Bruksel të martën, ata do ta gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për t’i lejuar transferet e parave të gatshme në euro për këta njerëz”, tha Escobar.

Kryeministri, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social X ka thënë se Qeveria e mbështet tranzicionin e rregullores së BQK-së, por jo edhe pezullimin e saj.

“E kam informuar për hapat që Qeveria jonë ka marrë në mbështetje të tranzicionit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe gatishmërinë tonë për të adresuar çështjet në vazhdim”, tha Kurti.

Çështja e dinarit, por jo vetëm do të jetë temë diskutimi javën e ardhshme në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se takimi do jetë në nivel të kryenegociatorëve.

“Të martën, përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, ka ftuar kryenegociatorët, homologët e tij kryesorë, të vijnë në Bruksel për të vazhduar diskutimet. Pra, para së gjithash, të vazhdohet diskutimi, i cili tashmë ka filluar para disa javësh për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin”, tha Stano të premten.

Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, ka qenë e rezervuar të flas nëse takimi i së martës në Bruksel do të ketë rezultate konkrete për dinarin.

“Nuk i kam pa propozimet dhe nuk mund të them diçka rreth kësaj cështje, dhe nuk e di se çfarë do të ndodh në dialog. Vendimi është i BQK-së, BQK-ja ëshë institucion i pavarur dhe kjo nuk është punë e Qeverisë së Kosovës”, tha ajo për rtv21.

Opozita kritikon Qeverinë se për shkak të mos koordinimit me faktorin ndërkombëtar temat e brendshme sic është dinari po i shndërron në dialog me Serbinë. Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi, tha se pas që kryeministri u dorëzu për Manastirin e Decanit do të dorëzohet edhe për dianrin dhe asociacionin.

“Dinari nuk është dashur që të futet në proces të dialogut. Sot temë kryesore e ka bërë çështjen e dinarin. Kjo do të duhet të diskutohej brenda institucioneve të Kosovës. Kryeministri Kurti është dorëzuar para ndërkombëtarëve”, u shpreh Krasniqi për rtv21.

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, shprehu shqetësim për nivelin e degradimit të marrëdhënieve që, sipas saj, i ka sjellë kryeministri Kurti me faktorin ndërkombëtar. Ajo pret që të martën në Bruksel mund të ketë rezultate konkrete për dinarin.

“Fatkeqësia është se Qeveria e ka sjellë vendin në një pikë kur duhet të përballet me ultimatume. E ka degraduar pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Jam shumë e sigurt se takimi i së martës në Bruksel do të sjellë rezultate”, tha Ahmetaj.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, vlerëson se kryeministri Kurti gradualisht do t’i zbatojë të gjitha ultimatumet e faktorit ndërkombëtar. Ndryshe, sipas tij, nuk mund të shmangën zgjedhjet e parakohshme.

“Kurti gradualisht do t’i zbatojë obligimet që po kërkon faktori ndërkombëtar. E vetmja mënyrë që të mos i zbatojë obligimet është shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Sadiku.

Faktori ndërkombëtar përveç dinarit Qeverisë Kurti po i kërkon që me urgjencë ta themelojë edhe asociacionin e komunave me shumicë serbe./RTV21/21Media

Back to top button