Salah e konfirmon: Dua ta mbyll karrierën te Liverpooli

 
Ylli egjiptian Mohamed Salah ka deklaruar që ai dëshiron të qëndrojë te Liverpooli deri sa të përfundojë karrierën si lojtar aktiv.
Trajneri i tij Jurgen Klopp e ka lavdëruar Salah duke e cilësuar si lojtarin më të mirë në botë momentalisht, pasi që ky i fundit ka regjistruar 12 gola në 11 paraqitje për “Të Kuqtë” në këtë sezon.
Kontrata aktuale e Salah skadon në fund të sezonit 2022/23, por krerët e Liverpoolit dëshirojnë që ta sigurojnë të ardhmen e tij me çdo kusht.
Është e qartë që ylli egjiptian është shumë i lumtur në “Anfield Road”, por përveç kësaj, klubit do t’i duhet që të pranojë edhe kërkesat e tij për rritje të pagës.
“Kjo nuk varet nga unë. Nëse më pyesni mua, unë do të dëshiroja që të qëndroj këtu deri në ditën e fundit të karrierës sime në futboll. Por nuk mund të them asgjë rreth kësaj çështje, nuk është në duart e mija. Varet nga klubi se çfarë dëshiron”, tha Salah.
“Për momentin, nuk mund ta shoh vetën të luaja kundër Liverpoolit. Do të më mërziste. Është shumë e vështirë. Nuk dua të flas për atë gjë, por do më bënte shumë të mërzitur. Le të shohim se çfarë na sjellë e ardhmja”, shtoi ylli i Liverpoolit.
Nesër, Salah pritet ta bëjë paraqitjen e tij të radhës për Liverpoolin, ku ky i fundit do të jetë mysafirë i Manchester United, ndeshje kjo e vlefshme për xhiron e nëntë të Premier Ligës angleze.

Back to top button