Sali Berisha do ta padis Anthony Blinken

 

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka autorizuar avokatin e tij për të ngritur padi ndaj sekretarit amerikan të Shtetit Anthony Blinken, pas shpalljes person non grata nga SHBA.

Në një konferencë për media, Berisha ka thënë se Blinken ka bërë shpifje ndaj tij lidhur me akuzat për korrupsion gjatë qeverisjes së tij.

“Jam këtu për t’ju informuar për një vendim të pazakontë, por të rëndësishëm timin. Për arsye tërësisht të panjohura për mua sekretari i Departamentit të Shtetit Blinken ka publikuar pa paralajmërim dhe në mënyrë shpifëse vlerësime të gënjeshtra për personalitetin tim. Dua të theksoj se që kur kam filluar jetën time politike ju garantoj se që kur kam prekur rrogën e parë në borderonë e shtetit dhe deri ditën e djeshme nuk ka njeri në Shqipëri e botë që të thotë se unë kam qenë i implikuar në aferë të çfarëdoshme korruptive. Kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral në Francë që të ngrejë ndaj zoti Blinken padi për shpifje publike”, ka thënë Berisha.

Ndryshe, “Abuzimi me pozitën e besimit të publikut, për të pasuruar veten dhe familjen”, është arsyeja që ka bërë që ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës/21Media

Back to top button